Suspendohen dy policët e përfshirë në rastin e rrahjes së vajzës në Vushtrri

Dy hetues të stacionit policor në Vushtrri janë suspenduar me rekomandim të Inspektoratit Policor të Kosovës.

Suspendimi erdhi pas rastit i cili u publikua, ku shihej një zyrtare policore duke ushtruar dhunë fizike ndaj një vajze që besohet se është e mitur, në Vushtrri.

Ngjarja ka ndodhur në afërsi të një shkolle, ndërsa përveç polices në rast ka qenë i përfshirë edhe një koleg i saj (të dy hetues), i cili shihet deri sa qëndron duke e shikuar kolegen.

Suspendimin e dy policëve e ka konfirmuar për KALLXO.com, drejtoresha e Policisë për Rajonin e Mitrovicës, Afërdita Mikullovci.

Dy hetuesit policorë po dyshohen për veprën penale – keqtrajtim gjatë ushtrimit të detyrës zyrtare, ndërsa suspendimi i tyre është rekomanduar nga IPK për 72 orë.

KALLXO.com raportoi gjatë ditës në lidhje me rastin e dhunës së ushtruar nga hetuesja e Policisë ndaj vajzës e madje edhe për fillimin e hetimeve nga ana e Inspektoratit Policor të Kosovës.

Këta të fundit në një përgjigje për KALLXO.com kishin thënë se pas publikimit të videos kishin filluar grumbullimin e informatave ndërsa hetuesit e IPK-së ishin nisur në drejtim të Stacionit Policor në Vushtrri për të identifikuar dhe intervistuar dy hetuesit policor dhe për të zbardhur rastin i cili ka ndodhur gjatë ditës së sotme.

Deri më tani, nuk dihet se për çfarë arsye janë ndaluar vajzat, e as arsyeja e reagimit të tillë nga ana e pjesëtarëve të Policisë së Kosovës.

Gjithashtu në video shihen edhe kalimtarë të rastit të cilët nuk reagojnë, ndërkaq hetuesja e policisë vazhdimisht dëgjohet duke bërtitur, “Ti mu lopë a?”, thotë policja disa herë.

Policja godet një vajzë me shuplaka – VIDEO