Suspendime masive në Policinë e Gjakovës

Inspektorati Policor i Kosovës (IPK) i ka rekomanduar Policisë së Kosovës suspendimin e shtatë zyrtarëve policor si të dyshuar për kryerjen e veprës penale “shkaktim i rrezikut të përgjithshëm” lidhur me një incident që kishte ndodhur më 13 shtator 2020.

Të dyshuarit janë një major – U.D komandanti i stacionit policor të Gjakovës, një toger policor, katër zyrtarë policorë dhe një pjesëtar i stafit civil të PK-së.

Sipas IPK-së, rrethanat  e përdorimit të armës së zjarrit nga një zyrtar policor me dyshimin se me rastin e gjuajtjes me armë zjarri ndaj një motoçiklisti në lëvizje  (person i dyshuar) janë tejkaluar autorizimet e tij për përdorimin e armës zyrtare.

Në komunikatë thuhet se, hetuesit e IPK-së kanë zbuluar prova shtesë me dyshimin për keqpërdorim të detyrës apo autorizimeve zyrtare  edhe nga disa zyrtarë policorë(fshehje e dëshmive  dhe informacioneve lidhur me rastin  e shkaktimit të rrezikut të përgjithshëm).

“Hetuesit në koordinim me prokurorinë kompetente do të ndërmarrin edhe veprime të tjera hetimore drejt ndriçimit të plotë të rrethanave të këtij rasti”, thuhet në komunikatën e IPK-së.