Ilustrim Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Supremja refuzon ankesën e Listës Serbe

Gjykata Supreme e ka vlerësuar si të pabazuar ankesën e Listës Serbë kundër vendimit të Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP), të cilët dënuan këtë subjekt politik me 8 mijë e 100 euro.

Në zgjedhjet e 17 tetorit në PZAP ishte pranuar një ankesë nga Strahinja Spasić, kandidat për kryetar të komunës së Kllokotit, nga subjekti politik “GI Srpska Narodna Sloga”.

Në ankesën e tij ishte thënë se Lista Serbe kishte bërë shitblerje të votave në këtë komunë.

Më 29 tetor, PZAP kishte pranuar si pjesërisht të bazuar ankesën e Spasić.

PZAP kishte marrë vendim duke e dënuar Listën Serbe me një gjobë prej 8 mijë e 100 eurove, të cilat duhej të paguheshin brenda një afati kohor prej 15 ditësh.

Kundër këtij vendimi kishte dalë Lista Serbe, e cila në afatin e lejuar ligjor kishte paraqitur ankesë në Gjykatë Supreme, duke propozuar që gjykata ta aprovojë ankesën si të bazuar, të anulohet vendimi i kontestuar i PZAP dhe të vërtetohet se ankesa e subjektit politik “GI Srpska Narodna Sloga”, kundër subjektit politik Lista Serbe është e pabazuar.

Mirëpo, sot kjo ankesë është refuzuar nga ana e Gjykatës.

Në njoftimin e Gjykatës Supreme thuhet se këta të fundit kanë vlerësuar se ankesa e Listës Serbe është e pabazuar.

Të njëjtit kanë thënë se vendimi i PZAP-së është i drejtë.

“Vendimi përmban arsye të mjaftueshme për faktet vendimtare nga vërtetohet se edhe e drejta materiale është zbatuar drejtë në kuptim të dispozitave ligjore të Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme në Republikën e Kosovës”, thuhet tutje në njoftim.

Lista Serbe në zgjedhjet e 17 tetorit arriti të marrë 41 për qind të votave të banorëve të Kllokotit, duke e lënë të dytin subjektin politik “GI Srpska Narodna Sloga” me 36 për qind të votave.