Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Supremja refuzon ankesën e kandidatit të NISMA-s për vjedhje votash

Gjykata Supreme ka refuzuar ankesën e kandidatit S.M., nga Nisma Socialdemokrate dega në Prizren, kundër vendimit Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP).

Kandidati në ankesë kishte pretenduar disa manipulime të votave, dhe si rrjedhojë kishte kërkuar rinumërim të votave në disa vendvotime. Por që kjo ankesë më pas ishte hedhur poshtë nga PZAP.

Edhe Gjykata Supreme e ka vërtetuar se ankuesi – kandidati, nuk ka prova të qarta për dyshimet e tij.

“Ankuesi, nuk ka paraqitur prova të qarta dhe bindëse, për manipulimin e keq numërimit të votave të subjektit të tij, në vend votimet e cituara më lartë, edhe Gjykata Supreme e Kosovës gjen se me pretendimet e tilla ankimore, paraqitësi, nuk ka arritur që të vë në dyshim gjendjen faktike të vërtetuar si më lartë nga ana e organit vendimi i të cilit kontestohet, kështu që u refuzuan si të pabazuara pretendimet ankimore përkitazi me konstatimin e gabuar dhe jo të plotë të gjendjes faktike. Gjykata Supreme e Kosovës, duke u nisur nga kjo gjendje e çështjes mund të pranojë si të drejtë dhe të ligjshëm qëndrimin juridik të PZAP-it, me të cilin është refuzuar si i pabazuar apelet e paraqitësit”, thuhet në vendimin e Supremes.

Aktgjykimin e plotë mund ta lexoni në këtë LINK.

Rundi i dytë për zgjedhjet lokale do të mbahet më 14 nëntor.

Në Prizren garojnë Mytaher Haskuka nga Lëvizja Vetëvendosje dhe Shaqir Totaj nga Partia Demokratike e Kosovës.