Agim Ademi, kryetar i FFK-së. Foto: Kallxo.com

Supremja kthen në pikën zero rastin ndaj kryetarit të FFK-së

Gjykata Supreme ka njoftuar se e ka kthyer në rigjykim rastin ndaj kryetarit të Federatës të Futbollit të Kosovës , Agim Ademit.

“Kolegji i Gjykatës Supreme, në çështjen penale të të dënuarve A.A., dhe M.R., për shkak të veprës penale detyrimi në tentativë, ka aprovuar si të bazuara kërkesat e tyre për mbrojtje të ligjshmërisë dhe çështjen e ka kthyer për rigjykim, në shkallë të parë”, thuhet në komunikatën për media të Gjykatës Supreme.

Kryetari i Federatës së futbollit Agim Ademi, me aktgjykim të formës së prerë ishte shpallur fajtor nga Gjykata e Prishtinës për shkak të veprës penale “Detyrimi në tentativë”  dhe të njëjtit i ishte shqiptuar dënim me burgim në kohëzgjatje prej 9 muajve.

Më pas Gjykata e Apelit, pas vlerësimit të gjithë dokumentacionit mjekësor të paraqitur nga i dënuari, kishte gjetur se ai ishte pranuar në ekzaminim në një Klinikë Emergjente, për shkak të gjendjes jo të mirë shëndetësore dhe se atij i ishte rekomanduar të pushojë, e pastaj të vazhdojë trajtimin e mëtejmë në institucionin në të cilin paraprakisht ishte trajtuar dhe ka historinë personale për sëmundjen.

Më këtë Gjykata e Apelit kishte konsideruar se i dënuari ka nevojë për kujdes të shtuar shëndetësor, duke e plotësuar kështu kushtin për shtyrje të ekzekutimit të dënimit.

Kryetari i Federatës së Futbollit – FFK, Agim Ademi së bashku me Muhamet Ramën në korrik të vitit të kaluar ishin shpallur fajtor nga Gjykata e shkallës së parë lidhur me akuzuat për kërcënim me vdekje të një personi.

Shpalljen e aktgjykimit e ka bërë kryetarja e trupit gjykues, Valbona Musliu-Selimaj, e cila kryetarit të Federatës së Futbollit, Agim Ademit i kishte shqiptuar dënim me burgim prej 9 muajve, ndërsa Muhamet Ramës i ishte shqiptuar dënimi me burgim prej 1 viti, lidhur me veprën penale të detyrimit.

Agim Ademi dhe Muharrem Rama akuzoheshin edhe për veprën penale të ushtrimit të ndikimit por për këtë vepër penale ka arritur parashkrimi.

Kryetari i Federatës së Futbollit, Agim Ademi së bashku me Muhamet Ramen akuzohen se e kanë kërcënuar me vdekje një person. Sipas prokurorisë ata kishin qenë persona zyrtar kur kanë bërë ndryshimin e statusit të parcelës duke e shndërruar nga zona e gjelbëruar në zonë ndërtimore.

Në bazë të aktakuzës Agim Ademi e Muharrem Rama akuzohen se në periudhën kohore nga 12 korriku i vitit 2012 e deri më 12 shtator të po të njëjtit vit në bashkëkryerje dhe me dashje të përfitimit material për veten e tyre apo për personin tjetër, kanë përdorur kërcënimin serioz me vdekje në atë mënyrë që sipas Prokurorisë i akuzuari Muharrem Rama e ka sulmuar fizikisht viktimën Dritëro Kadolli që ta detyrojë atë që të bëjë një veprim në dëm të pasurisë së tij, respektivisht t’ua jep atyre një veturë të tipit BMË X5, veturë e cila më pas pretendohet se do t’i dorëzohej Sami Hamitit.

Tutje në pikën e dytë të kësaj aktakuze thuhet se të akuzuarit e lartpërmendur gjatë periudhës së njëjtë kohore në bashkëkryerje kanë kërkuar nga Dritëro Kadolli shumën prej tridhjetëmijë eurove apo një veturë të tipit BMË X5, në lidhje me ushtrimin e ndikimit jo të duhur të tyre në vendimmarrjen e kryesuesit të Asamblesë Komunale të Prishtinës, Sami Hamiti, që të ndryshojë statusin e një ngastre toke nga “zona e gjelbëruar” në “zonë ndërtimore.

https://kallxo.com/prokuroria-kerkon-denim-me-burg-per-kryetarin-e-federates-se-futbollit-agim-ademin/