Arkiv - Foto: Kallxo.com

Supremja: Ish-ministri Baliq do të duhej të shpallej fajtor për ngacmim

Gjykata Supreme përmes një vendimi ka konstatuar se ish-ministri i Shëndetësisë, Numan Baliq, do të duhej të shpallej fajtor për veprën penale të ngacmimit nëse Gjykata e Pejës dhe ajo e Apelit do të zbatonin ligjin drejt.

Gjykata e Pejës e kishte liruar nga aktakuza Numan Baliqin, vendim ky i cili ishte vërtetuar edhe nga Gjykata e Apelit.

Por, sipas Gjykatës Supreme në këtë rast penal ka pasur prova të mjaftueshme që dërgojnë në plotësimin e elementeve të veprës penale për të cilën akuzohej Baliq.

“Nga këto arsye Gjykata Supreme konstatojë se në rastin konkret, faktet vendimtare janë vërtetuar në mënyrë të drejt dhe të plotë, por arsyet me këto të meta dhe mungesa e arsyeve për faktet vendimtare, paraqet shkelje esenciale të dispozitave të procedurës penale nga neni 384 par.1 pika 12 të KPPK. Në anën tjetër, në fakte të vërtetuara në mënyrë të drejt dhe të plotë, me lirimin e të akuzuarit nga akuza gabimisht është aplikuar ligji penal, shkelje kjo nga neni 385 pika 4 të KPPK, sepse me aplikimin e drejt të ligjit ai duhej të shpallej fajtor për veprën penale për të cilën është akuzuar”, thuhet në arsyetimin e Supremes.

Në vendimin e Gjykatës Supreme thuhet se në aktgjykimin e gjykatës së shkallës së parë sa i përket tipareve qenësore të veprës penale janë dhënë arsye të paqarta.

“Shumë arsye janë koncentruar në personalitetin e të akuzuarit dhe të dëmtuarës. Kështu, në faqen 13 të aktgjykimit thuhet se i akuzuari ‘nuk është person i njohur si `ngucakeq` ose ‘keqbërës’, por është njeri me autoritet të madh’, e në vazhdim theksohet se edhe e dëmtuara është vajzë e sjellshme, nxënëse e mirë dhe se gjykata mendon se ata nuk kanë merituar dramatizime të këtilla, kur është konstatimi i përgjithshëm se mes tyre asgjë e keqe apo e turpshme nuk ka ndodhur”, thuhet në arsyetimin e Supremes.

Supremja në vendim thotë se janë të paqarta arsyet e gjykatës së shkallës së parë që merren vetëm me një pjesë të dispozitës që inkriminon këtë vepër penale.

Sipas Gjykatës Supreme kjo vepër penale kryhet edhe pa shkaktimin e frikës për ndonjë lëndim trupor apo vdekjes.

“Janë të paqarta arsyet të cilat merren vetëm me një pjesë të dispozitës së nenit 186 par.1 të KPK. Kjo për arsye se edhe pse nuk është fjala për shkaktimin e frikës, e sidomos frikës nga vdekja, lëndimin e rëndë trupor ose diç të ngjashme, por për një ngacmim i cili është shkaktuar me vetëdije të plotë dhe për pasojë ka pasur shqetësimin e madh emocional të dëmtuarës. E dëmtuara nuk ka dëshiruar komunikime të këtilla të vazhdueshme që shihet edhe nga mesazhi telefonik i cekur në dispozitivin e aktgjykimit të shkallës së parë, në të cilin i akuzuari insiston që ajo t’i përgjigjet, por ajo nuk dëshiron që ai as të ketë numrin e telefonit të saj”, thuhet po ashtu në vendim.

Gjykata Supreme thotë se këto të meta nuk janë evituar as nga gjykata e shkallës së dytë.

Me aprovimin e kërkesës për mbrojtje të ligjshmërisë së prokurorit të shtetit, këto shkelje vetëm janë konstatuar nga Gjykata Supreme, pa ndikuar në vendimin e formës së prerë, sepse kërkesa është paraqitur në dëm të të akuzuarit.

Baliq akuzohej nga Prokuroria e Pejës se është përfshirë në përcjellje dhe vëmendje të vazhdueshme me qëllim ngacmimi dhe frikësimi ndaj të dëmtuarës S.M.

Sipas dosjes së Prokurorisë, S.M. kishte filluar praktikën në Spitalin Regjional të Pejës, ku i akuzuari ushtron profesion e doktorit.

Baliq kishte mohuar ta ketë ngacmuar praktikanten e Spitalit.

Kujtojmë se Numan Baliq është duke u gjykuar tani për vepër penale të sulmit seksual.