Gjykata Supreme e Kosovës - Foto: KALLXO.com

Supremja hedh poshtë ankesën e Vetëvendosjes kundër vendimit të PZAP-së në lidhje me Listën Serbe

Gjykata Supreme e Kosovës e ka hedhur poshtë si të palejuar ankesën e Lëvizjes Vetëvendosje, të paraqitur kundër vendimit të Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP).

Lajmin e ka konfimuar zëdhënësi i Vetëvendosjes, Arlind Manxhuka për KALLXO.com.

Ankesa ishte dërguar nga zëvendësministri i Drejtësisë, Blerim Sallahu, më 25.12.2024, ku ishte kontestuar ligjshmëria e këtij vendimi të PZAP-së.

Sipas Aktvendimit të Supremes, që e ka parë KALLXO.com, Kolegji i Supremes që mori këtë vendim u përbë nga gjyqtarët: kryetarja e Kolegjit, Franciska Zhitija-Ymeri dhe anëtarët: Delushe Halimi e Rrustem Thaqi.

Sipas Aktvendimit, Gjykata Supreme e ka cilësuar ankesën e Vetëvendosjes si të palejuar. 

“Nëse i referohemi Nenit 118 Paragrafi 4 i Ligjit të cituar dhe provave që iu kanë bashkëngjitur shkresave të lëndës rezulton se parashtruesit e Ankesës me njoftimin e Komisionit Qendror Zgjedhor të datës 23.12.2024, që ka të bëjë me moscertifikimin e subjektit politik Lista Srpska dhe kandidatëve të këtij subjekti politik, si dhe Vendimin e Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP), Anr.12/2024, të datës 25.12.2024, nuk i është cenuar ose prek një e drejtë themelore, andaj Gjykata Supreme konstatoi se ankesa e Subjektit Politik Lëvizja Vetëvendosje është e palejuar.”- shkruan në Aktvendimin e Supremes, më 30.12.2024.

Rreth orës 15:00, më 25.12.2024, Lëvizja Vetëvendosje (LVV) u ankua në Gjykatën Supreme ndaj Vendimit të Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP) – lidhur me rastin e Listës Serbe.

PZAP, më 25.12.2024, ka miratuar ankesën e Listës Serbe, e cila nuk ishte certifikuar nga KQZ-ja, për Zgjedhjet që do të mbahen më 09.02.2025, në Kosovë.

“Urdhërohet Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) të certifikojë subjektin politik, Lista Serbe dhe kandidatët e këtij subjekti politik – sipas Rekomandimit të Zyrës për Regjistrim, Certifikim dhe Kontrollin Financiar të subjekteve politike në KQZ, të datës 22.12.2024, për Zgjedhjet për Kuvendin e Republikës së Kosovës, që do të mbahen më datën 09 shkurt 2025.” – thuhet në Vendimin e PZAP-së.

Ankesën në PZAP, Lista Serbe e kishte paralajmëruar përmes një Konference për media, më 24.12.2024.

KQZ-ja në mbledhjen e datës 23.12.2024 nuk kishte certifikuar Listën Serbe, për Zgjedhjet e 9 Shkurtit.

Kjo pasi që, ishte vlerësuar nga ana e disa anëtarëve në KQZ, se ka pasur thirrje nacionaliste serbe nga ana e kryetarit të Listës Serbe, Zllatan Ellek gjatë prezantimit të Listës zgjedhore të këtij subjekti politik.

Moscertifikimi i partisë më të madhe të serbëve në Kosovë u përcoll me reagime të shumta ndërkombëtare.