ARKIV - Shaban Gogaj i përcjellë nga Njësia për Bartjen e të Burgosurve - Foto: KALLXO.com

Supremja e vërteton Vendimin ndaj Shaban Gogajt

Gjykata Supreme nuk ka gjetur shkelje në Aktgjykimet e Apelit dhe Gjykatës së Pejës, në rastin ku Shaban Gogaj ishte dënuar për vrasje nga pakujdesia për Agonis Tetajn, që kishte ndodhur më 2018, në lokalin “Gogaj AG”.

Sipas Supremes, në Aktgjykimet e kundërshtuara me Kërkesë për mbrojtje të ligjshmërisë nga Prokurori i Shtetit nuk është konstatuar fakti se janë të papërshtatshme ose të bazuara në gabime të rënda.

“Refuzohet si e pabazuar Kërkesa për mbrojtje të ligjshmërisë e Zyrës së Kryeprokurorit të Shtetit, e paraqitur kundër Aktgjykimit të Gjykatës Themelore në Pejë, më 15.03.2024 dhe atij të Gjykatës së Apelit, më 03.10.2024.” – thuhet në Vendimin e Supremes, më 24.02.2025.

Gjykata e Apelit ia kishte zbutur dënimin me burgim të akuzuarit Shaban Gogaj – lidhur me rastin e vrasjes së Agonis Tetajt më 2018.

Gogaj nga Gjykata Themelore e Pejës për herën e dytë ishte gjetur fajtor për “vrasje nga pakujdesia” dhe “armëmbajtje pa leje” – duke i shqiptuar dënim unik prej 7 vjet e gjashtë muaj.

Gogaj për “vrasje nga pakujdesia” ishte dënuar 5 vjet, kurse për “armëmbajtje” ishte dënuar me dënim me burgim prej 3 vjetësh.

Apeli dënimin me burgim për “armëmbajtje” e kishte zbutur nga 3 vjet në dënim me burgim në 2 vjet burgim.

Gjykata Supreme në Aktgjykimin e nxjerrë ndaj Kërkesës për mbrojtje të ligjshmërisë të bërë nga Prokuroria e Shtetit ka theksuar se as në Aktakuzën për “vrasje të rëndë” dhe në asnjë shkresë tjetër të lëndës nuk është paraqitur motivi i i kryerjes së veprës penale: “vrasje e rëndë”.

Sipas Supremes në asnjë rast, as në variantin më të pafavorshëm kundër tani të dënuarit, as vetë Prokuroria përmes Aktakuzës së saj nuk ka përcaktuar motivin për kryerjen e veprës penale.

“Në këtë kontekst është e rëndësishme të trajtohet në mënyrë të posaçme pretendimi i theksuar në Kërkesën për mbrojtjen e ligjshmërisë, përkitazi me motivin e të dënuarit për kryerjen e veprës penale të vrasjes së rëndë, e që sipas vlerësimit të Gjykatës Supreme të Kosovës është një pretendim tërësisht i pabazuar e bie në kundërshtim me Aktakuzën e Prokurorisë dhe atë për faktin se edhe sipas Aktakuzës fillestare të paraqitur, por edhe shkresave të kësaj çështjeje penale asnjëherë nuk është paraqitur motivi për kryerjen e kësaj vepre penale; kjo për faktin se Aktakuza është ngritur sipas Dispozitës së Nenit 173 Par.1, Nënpar.1.5 të KPRK-së, që përcakton privimin nga jeta të personit dhe me atë rast me dashje vë në rrezik jetën e një ose më shumë personave. Pra, as në variantin më të pafavorshëm kundër tani të dënuarit as vetë Prokuroria përmes Aktakuzës së saj nuk ka përcaktuar motivin për kryerjen e kësaj vepre penale.” – thuhet në arsyetimin e Gjykatës Supreme.

Vendimi i Supremes është marrë nga Kolegji i gjyqtarëve: Afrim Shala (Kryetar i Kolegjit), Agim Maliqi e Rasim Rasimi (anëtarë).

Gogaj më 13.03.2024 për herë të dytë ishte gjetur fajtor nga Gjykata e Pejës për “vrasje nga pakujdesia” dhe “armëmbajtje pa leje”.

Shaban Gogaj më 14.10.2022 nga Gjykata e Pejës ishte dënuar për herë të parë me 7 vjet e 6 muaj dënim me burgim për “armëmbajtje” dhe për “vrasje nga pakujdesia”.

Gjykata e Pejës në shpalljen e Vendimit për vrasjen e Agonis Tetajt më 14.10.2022 kishte bërë rikualifikimin e veprës penale: nga “vrasje e rëndë” në “vrasje nga pakujdesia”. Gogaj me 5 vjet burgim ishte dënuar për “vrasje nga pakujdesia” dhe 3 vjet burgim për “armëmbajtje pa leje”.

Gjykata të njëjtit i kishte shqiptuar dënim unik prej 7 vjet e gjashtë muaj burgim.

Lidhur me këtë Vendim të Themelores nuk ishin pajtuar Gjykata e Apelit – duke e kthyer rastin në pikën zero.

Sipas Aktakuzës së Prokurorisë, në vitin 2018, në Kompaninë “Gogaj AG” Shaban Gogaj mori një telefonatë nga një person tjetër, e cila në Aktakuzë është cilësuar si dëshmitare, nga e cila bisedë më pas shihet se është acaruar.

Tutje, Aktakuza sqaron se Agonis Tetaj ishte larguar menjëherë në drejtim të rafteve të dyqanit përballë tij për gati 5 metra, ndërsa bashkë me të u larguan edhe dy dëshmitarët e rastit: A.H. dhe F.Z.

Sipas Dosjes së Prokurorisë, me të përfunduar bisedën, Shaban Gogaj nga karriga e anës së majtë të banakut kaloi në karrigen tjetër e cila gjendej në mes të banakut dhe nga sirtari nxori revolen e tij të tipit “Beretta”, e vendosi karikatorin, e mori në shenjë Agonis Tetajn dhe e qëlloi me plumb në kokë – duke e vrarë.

Viktima ishte punëtor në biznesin e të akuzuarit.

Raportimet e KALLXO, lidhur me rastin, i gjeni në këtë: LINK.