Gjykata Supreme e Kosovës - Foto: KALLXO.com

Supremja e rrëzon Vendimin e PZAP-së për dënimin e "Koalicionit për Familjen"

Gjykata Supreme e Kosovës ka marrë Vendim me të cilin ia ka ndryshuar Vendimin PZAP-së për dënimin e subjektit politik Koalicioni për Familje me 7 mijë euro dënim me gjobë, për shkak të shkeljes së Kodit për mirësjellje nga subjektet politike, mbështetësit e tyre dhe kandidatët.

Vendimi për dënimin e subjektit politik Koalicioni për Familje është marrë më 27.01.2025.

Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa kishte gjetur se nga subjekti politik ishin përdorur fjalët si “Turp ju qoftë”, pastaj “mbrojta e dinjitetit tonë njerëzor dhe vazhdimësisë së jetës, si të ardhmen e fëmijëve tanë nga degjenerimi dhe prishja”, “anomaly socialle, si dhe dukuri degjeneruese”, të cilat ishin në kundërshtim me Ligjin për Zgjedhjet.

Tutje, PZAP kishte konstatuar se Kodi i mirësjelljes i detyron të gjitha subjektet politike, kandidatët, anëtarët e subjekteve politike dhe mbështetësit e tyre që të respektojnë këtë Kod.

Lidhur me këtë Vendim të PZAP-së Ankesë ka paraqitur subjekti i cili ishte dënuar, duke kundërshtuar ligjshmërinë e Vendimit të Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa, me pretendimin se Vendimi është në kundërshtim me parimet kushtetuese dhe ligjore.

Përgjigjen në Ankesën e subjektit politik Koalicioni për Familje e ka paraqitur edhe PZAP.

Supremja ka konstatuar se Ankesa e subjektit politik është e bazuar, duke shtuar se fjalimet që i kanë përdorur kandidatët e këtij subjekti nuk kanë ndonjë fjalë apo veprim që fyen ose ofendon dikënd. Prandaj, nuk mund të konsiderohet si nxitje e urrejtjes dhe shkeljes së Kodit të mirësjelljes, pasi nuk i drejtohen qytetarëve për nxitje të urrejtjes apo nuk ka ndonjë kërkesë ndaj tyre që të ndërmerret ndonjë veprim i caktuar.

Kështu, Supremja e ka konsideruar si të pabazuar Ankesën e Organizatës Joqeveritare Dylberizmi dhe Qendra për Barazi Gjinore.

Tutje, Supremja ka sqaruar se sikurse që nuk mund të ndalohen të drejtat e një subjekti ose organizate apo komuniteti të caktuar që në mënyrë të ligjshme t’i shprehë bindjet e tyre, njashtu nuk mund të sanksionohet një subjekt politik i cili mban qëndrime kundrejt tyre.

Sipas Vendimit të Supremes, më 03.02.2025, që të vijë deri te shqiptimi i një gjobe duhet të vërtetohet fakti se i njëjti subjekt me veprimet apo fjalimet e tyre gjatë fushatës zgjedhore nxit ose provokon një person tjetër për të kryer një akt të dhunës kundër personave të tjerë.

Në fund të Vendimit Gjykata Supreme ka thënë se PZAP nuk ka arritur ta konstatojë drejt dhe saktë gjendjen faktike dhe nuk ka zbatuar drejt të drejtën materiale, për shkak se nga shkresat e lëndës nuk rezulton të ketë pasur shkelje të Kodit të mirësjelljes për subjekte politike.

Për çka u gjobit “Koalicioni për Familjen” nga PZAP?