Supremja e kthen për rishqyrtim aktgjykimin dënues ndaj Sali Mustafës
Paneli i Gjykatës Supreme të Dhomave të Specializuara të Gjykatës Speciale ka marrë vendim me të cilin ja ka anuluar dënimin me burgim prej 22 vite, Sali Mustafës.
Supremja ka marrë vendim me të cilin ja ka kthyer për shqyrtim Gjykatës së Apelit vendimin që të vendos përsëri lidhur me lartësinë e dënimit.
Krejt kjo, pasi Sali Mustafa kishte paraqitur kërkesë për mbrojte të ligjshmërisë në Gjykatën Supreme kundër vendimit të Gjykatës së Apelit me të cilin “Calin” ja kishe ulur dënimin nga 26 në 22 vite dënim me burgim Mustafës.
“Në kërkesën e tij për mbrojtje të ligjshmërisë z. Mustafa ngriti pesë pika, të cilat lidheshin me përkthimin e aktgjykimit të apelit në gjuhën shqipe, shpalljen e tij fajtor për vrasje si krim lufte, si edhe me masën e dënimit. Paneli i Gjykatës Supreme e miratoi pjesërisht kërkesën e tij dhe anuloi pjesën e aktgjykimit të apelit që ka të bëjë me dënimin e z. Mustafa me 22 vjet burg. Paneli i Gjykatës Supreme ia ktheu çështjen përsëri Panelit të Apelit në përputhje me rregullën 194(1)(b) të Rregullores, për të shqyrtuar uljen e dënimit bazuar në arsyetimin e paraqitur në vendimin e Panelit të Gjykatës Supreme”- thuhet në njoftimin e dhomave të Specializuara.
Pra Supremja ka marrë vendim duke ja aprovuar pjesërisht kërkesën për mbrojte të ligjshmërisë, Sali Mustafës, duke e anuluar pjesën e aktgjykimit që ka të bëjë me shqiptimin e dënimit.
Gjykata e Apelit në Hagë ka vendosur që t’ia ulë në 22 vjet burgim dënimin ndaj ish-komandantit të Njësisë BIA të UÇK-së, Salih Mustafa i akuzuar për krime lufte.
Mustafa, në dhjetor e vitit 2022 u dënua nga shkalla e parë me 26 vjet burgim për akuzën e mbajtjes dhe maltretimin e disa civilëve shqiptarë, një prej tyre i vrarë në kompleksin e ndërtesave të Zllashit më 1999. Ky vendim njëherit shënon edhe vendimin e parë për krime lufte të shqiptuar nga Gjykata Speciale e cila ka seli në Hagë të Holandës.
Megjithatë, kolegji gjykues i përbërë nga Mishele Pikar (kryesuese), me anëtaret Kai Ambos dhe Nina Jorgensen vendosën që ta ulin dënimin e Mustafës në 22 vjet burgim.
“8 vjet burg për pikën 1 për ndalim arbitrar. 20 vjet për burgim për pikën 3 për torturë dhe së treti 22 për pikën 4 të aktakuzës për vrasjen e paligjshme. Në përputhje me këtë Paneli duhet të përcaktojë në bazë të rregullës 163 duhet të pasqyrojë një dënim të njëhësuar. Në lidhje me këtë paneli gjykon se një dënim i njehsuar me 22 vjet burgim duke llogarit kohën e kaluar në paraburgim, pasqyron tërësinë e veprimtarisë kriminale të Mustafës”deklaroi gjykatësja Pichard.
Paneli i Apelit arsyetoi se ka rrëzuar disa nga kundërshtimet e paraqitura të Mustafës pasi sipas trupit gjykues Mustafa nuk arriti t’i mbështesë argumentet e tij.
Ish-komandant “Cali” akuzohet për ndalim arbitrar, torturë, trajtim çnjerëzor dhe vrasje e paligjshme.
Ai ishte arrestuar në shtator të vitit 2020, duke qenë i pari i ftuar nga Gjykata Speciale.
Zyra e Prokurorit të Specializuar ka mbrojtur dënimin prej 26 vjetësh, duke e vlerësuar si proporcional dhe të drejtë. Në anën tjetër, mbrojtja e tij, Julius Von Bone, në dosjen e publikuar ka shprehur kundërshtime, duke argumentuar se dënimi i Mustafës është shqyrtuar në mënyrë të padrejtë, duke u bazuar në rrethanat e gabuara.
Salih Mustafa ka qenë komandant i njësisë guerile BIA, që operonte brenda Zonës Operative të Llapit të UÇK-së. Aktakuza e ngarkon atë me përgjegjësi penale për krimet e kryera nga disa anëtarë të UÇK-së në kompleksin e ndalimit në Zllash, në regjionin Gollak të Kosovës.
Sipas aktakuzës, afërsisht midis 1 prillit dhe rreth fundit të prillit 1999, Salih Mustafa dhe disa ushtarë, policë e roja të UÇK-së patën të njëjtin qëllim të përbashkët të marrjes në pyetje dhe keqtrajtimit të të ndaluarve në kompleksin e ndalimit në Zllash.
Qëllimi i përbashkët përfshinte krimet e specifikuara si të ndalimit arbitrar, trajtimit mizor, torturës dhe vrasjes së paligjshme.
Në lidhje me këto akuza Mustafa u vetëdeklarua i pafajshëm për të gjitha pikat e aktakuzës. Ndërkaq, ky rast përfshin 8 viktima pjesëmarrëse.
Gjykimi nisi më 15 shtator 2021 dhe u mbyll më 4 shkurt 2022. Pas paraqitjes së provave, çështja u dorëzua në korrik të vitit 2022. Aktgjykimi u shpall më 16 dhjetor 2022, ku Mustafën u shpall fajtor dhe dënuar me 26 vjet burg.
Vendimi për zhdëmtimin e viktimave u bë më 6 prill 2023, duke urdhëruar Mustafën të paguajë një shumë prej 207,000 eurosh si kompensim për dëmin e shkaktuar ndaj viktimave të krimeve për të cilat ai është shpallur fajtor.
Rastet gjyqësore në Dhomat e Specializuara në Hagë
Aktualisht, në Dhomat e Specializuara janë duke u zhvilluar disa raste gjyqësore, përfshirë edhe rasti ndaj ish-krerëve të UÇK-së – Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi – që akuzohen për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.
Në një proces ndaras, me akuza të ngjashme për krime lufte po përballet edhe ish-pjesëtari i UÇK-së, Pjetër Shala. Ai akuzohet për keqtrajtimin dhe vrasjen e njërit prej të ndaluarve në burgun e supozuar në fabrikën e metalit në Kukës të Shqipërisë, e cila ishte në përdorim nga UÇK-ja.
Në këtë gjykatë po zhvillohen edhe procese kundër administrimit të drejtësisë, për të cilat me vendim fajësie janë dënuar Hysni Gucati dhe Nasim Haradinaj. Gucati u lirua me kushte të përcaktuara kurse Haradinaj vijon të mbetet në vuajtje të dënimit pasi lirimi i parakohshëm nuk iu aprovua si shkak i ‘mos respektimit të rregullave’.
Me akuza për frikësimin gjatë procedurave penale dhe pengimin e personave zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare po përballën edhe veteranët Ismet Bahtijari dhe Sabit Januzi të cilët në paraqitjen e tyre të parë më 9 tetor 2023, janë vetëdeklaruar të pafajshëm.
Kurse, ish-deputeti i Kuvendit të Kosovës, Haxhi Shala, më 13 dhjetor të këtij viti e shfrytëzoi të drejtën për të mos u deklaruar lidhur me fajësinë në paraqitjen e parë në Gjykatën Speciale. Shala u arrestua në vazhdën e aksioneve të ZPS-së në kuadër të procesit hetimor që përqendrohet në vepra penale kundër administrimit të drejtësisë.
Dhomat e Specializuara dhe Zyra e Prokurorit të Specializuar të Kosovës janë themeluar mbi bazën e një marrëveshje ndërkombëtare, e miratuar nga Kuvendi i Kosovës, nëpërmjet një amendamenti kushtetues, dhe në përputhje me Ligjin për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar të Kosovës.
Këto institucione janë të përkohshme dhe i janë dhënë një mandat dhe juridiksion i caktuar për të hetuar dhe gjykuar për krime kundër njerëzimit, krime lufte dhe krime të tjera sipas legjislacionit të Kosovës.
Veprat penale që janë në fokus kanë ndodhur midis 1 janarit 1998 dhe 31 dhjetorit 2000, duke përfshirë ato që janë kryer nga individë me shtetësi të Kosovës ose të Republikës Federale të Jugosllavisë, si dhe ato që janë kryer kundër personave me shtetësi të Kosovës ose të Republikës Federale të Jugosllavisë.
Dhomat e Specializuara dhe Zyra e Prokurorit të Specializuar të Kosovës kanë selinë e tyre në Hagë, Holandë.
Raportimet e KALLXO.com lidhur me procesin gjyqësor ndaj Salih Mustafës mund t’i lexoni duke klikuar në LINK.