Gjykata Supreme e Kosovës - Foto: KALLXO.com
Supremja e kthen në pikën zero gjykimin e avokatit Asdren Mekaj, i akuzuar për shantazh
Gjykata Supreme çështjen penale ndaj Asdren Mekajt e ka kthyer në pikën zero.
Asdren Mekaj më 20 maj 2019 ishte shpallur fajtor për veprën penale të shantazhit dhe ishte dënuar me 14 muaj burgim.
Ndërsa, më 27 dhjetor 2019, Apeli e kishte vërtetuar akygjykimin e shkallës së parë.
I pakënaqur me vendimin e Apelit, avokati Besnik Berisha, mbrojtës i të akuzuarit, kishte parashtruar mjetin e jashtëzakonshëm juridik – kërkesën për mbrojtjen e ligjshmërisë.
Gjykata Supreme të hënën ka aprovuar këtë kërkesë duke anuluar dy aktgjykimet e mëparshme dhe çështjen e ka kthyer në rigjykim.
Lajmin për KALLXO.com e ka konfirmuar avokati Besnik Berisha, i cili ka thënë se të dy vendimet janë anuluar dhe çështja është kthyer në pikën zero.
Kujtojmë se Asdren Mekaj është avokat dhe djali i gjykatëses së Krimeve të Rënda, Nushe Kukaj-Mekaj.
Aktakuza thotë se Mekaj gjatë muajve mars-gusht të vitit 2008 me qëllim që vetes t’i sjellë dobi pasurore të kundërligjshme kishte kërcënuar të dëmtuarën V.M. se do të zbulojë lidhjen intime që kishin te bashkëshorti dhe familja e saj, me ç’rast e detyron të njëjtën që nga banka të nxjerrë shumën e parave prej 223,580.10 euro dhe ia jep atij për të hapur biznesin.
KALLXO.com ka raportuar në vazhdimësi për këtë rast.