"Superpuna" ekzekuton pagesën për rreth 2 mijë punëtorë

Platforma “Superpuna” ka njoftuar se ka ekzekutuar pagesën për afër 2 mijë punëtorë në Kosovë.

“Superpuna” është platformë punësimi e krijuar nga Qeveria e Republikës së Kosovës, në kuadër të skemës së Punësimit të Garantuar për të Rinjtë, e cila do të lehtësojë qasjen e të rinjve në tregun e punës dhe do të ndihmojë bizneset në angazhimin e punëtorëve të rinj.

Bizneset që angazhojnë punëtorë përmes platformës “Superpuna” duhet të kalojnë verifikimet si në vijim:

  • Të deklarojnë punëtorët e angazhuar në Administratën Tatimore të Kosovës (ATK);
  • Të deklarojnë punëtorët në ATK me pagë të njëjtë apo më të lartë sesa në shpalljen në superpuna;
  • Të mos kenë obligime tatimore të papaguara ndaj ATK-së.

“Rikujtojmë që subvencionimi nga Qeveria bëhet me një muaj diferencë, ngase deklarimi i punëtorëve në ATK bëhet deri më datë 15 të muajit vijues të angazhimit. Pra, për punëtorët e angazhuar në muajin prill, deklarimi në ATK bëhet deri më 15 maj”- thuhet në njoftimin e Superpunës.

Punëkërkuesit duhet të jenë shtetas të Republikës së Kosovës të moshës 18-25 vjeçare, ndërsa Qeveria e Kosovës do të subvencionojë pagën prej 264 euro për 6 muaj.