"Superheronjtë nuk janë të vërtetë", Policia bën thirrje për kujdes të shtuar në përdorimin e rrjeteve sociale nga të rinjtë
“Superheronjtë nuk janë të vërtetë, kujdesuni për veten dhe shokët tuaj. Mos u bëni pjesë e lojës që rrezikon jetën”- thuhet në njoftimin e Policisë së Kosovës, pas disa rasteve të nxënësve që janë vetëlënduar të nxitur nga një videolojë në “TikTok” e quajtur “Sfida e Supermenit”.
Policia e Kosovës ka thënë se është e fokusuar në mbrojtjen dhe sigurinë e fëmijëve duke bërë thirrje për kujdes të shtuar në përdorimin e rrjeteve sociale, sidomos platformës TikTok.
“E cila kohët e fundit ka shpërndarë sfida që paraqesin rreziqe për shëndetin dhe sigurinë e të rinjve. Kjo sfidë është një nxitje për të realizuar veprime përmes lojërave që mund të shkaktojnë lëndime dhe dëmtime të ndryshme” – vazhdon njoftimi i Policisë së Kosovës, i datës 12.08.2024.
Policia ka kërkuar mbështetjen e prindërve dhe komunitetit për të ndërgjegjësuar fëmijët dhe adoleshentët për rreziqet që mund të sjellë pjesëmarrja në këto sfida.
“Prindërit duhet të jenë të vëmendshëm mbi përdorimin e rrjeteve të ndryshme sociale nga fëmijët e tyre dhe t’i ndihmojnë ata në identifikimin dhe ofrimin e ndihmës për shmangien e përfshirjes se tyre në lojërat e dëmshme dhe të rrezikshme” – potencohet në njoftim.
Organet e rendit i kanë bërë thirrje çdo prindi dhe mësuesi të jetë i vëmendshëm dhe të inkurajojë përdorimin e teknologjisë për qëllime pozitive dhe edukative.
Në tri shkolla fillore të mesme të ulëta dhe dy të mesme të larta në komunën e Lipjanit janë raportuar pesë raste të nxënësve që janë vetëlënduar të nxitur nga një video (lojë) në “TikTok” e quajtur “Sfida e Supermenit”.
Në një bisedë për KALLXO.com drejtori i Arsimit në Lipjan, Rasim Hasani tha se rastet kanë ndodhur në shkollë dhe nxënësit i kanë lënduar duart. Dy prej tyre janë vajza.
Prej pesë rasteve, me përjashtim të njërit rast, Hasani tha se nxënësit janë munduar t’i fshehin lëndimet.
Hasani nuk ishte në dijeni nëse këto raste janë raportuar në Policinë e Kosovës. KALLXO.com e ka pyetur Policinë e Kosovës, por nuk ka pranuar përgjigje deri në publikimin e këtij artikulli.
Dy prej nxënësve në Lipjan që e kanë lënduar veten të nxitur nga një video (lojë) në “TikTok” janë mbi 15 vjeç, sipas Hasanit, kurse të tjerat raste janë nxënës të klasave 6, 7.
Në mesin e nxënësve, Hasani tha se është edhe një nxënës i shkollës fillore të mesme të ulët “17 Shkurti” në fshatin Gllogovc të Lipjanit, nga e cila shkollë në maj të këtij viti u raportuan tre nxënës se janë vetëlënduar të nxitur nga një video (lojë) tjetër në “TikTok”.
I pyetur se a kanë treguar nxënësit motivin e vetëlëndimit të tyre, Hasani tha se kanë qenë të shtyrë nga ‘sfida’ në “TikTok”.
“Nxënësit janë mundu fillimisht me fshehë d.m.th mos me tregu qysh janë lëndu, shumicën e shkollave, vetëm prindërit kur kanë treguar, tani ndërkohë i kena pa do video… [Janë lënduar] T’u e praktiku atë lojën e TikTok-ut – ‘Supermen’” – ka thënë Hasani, më 07.12.2024.
“P.sh kanë marrë lëndime në duar, d.m.th ju ka thy ose ça ashti në një rast… Ka pas rast edhe kur janë trajtuar [te mjeku]” – tha Hasani.
Në njërin rast në një fshat të Lipjanit, Hasani tregoi se prindërit janë trazuar shumë dhe kanë reaguar ashpër në drejtori të shkollës.
“Të gjitha [rastet] janë në shkollë, janë në mes të mësimit. D.m.th [sfida] është praktiku në kohën e mes orëve, ndërrimet kur bohen 5 minuta ose 10” – ka shtuar Hasani.
Kur u pyet se në shkollat e Lipjanit që kanë ndodhur rastet, a ka psikologë shkollor, Hasani tha se në tri prej tyre ka.
“Edhe ato që s’kanë janë të monitoruara prej psikologëve tjerë, se na nuk i kem [psikologët shkollor] nëpër krejt shkollat, s’kena pas mundësi… Te dy [shkollat] të fshatrave si duket s’kanë mund me mbrri me shku, për shkak se këto të qytetit janë të ngarkuara përgjegjëse edhe për ato shkollat nëpër fshatra” – ka treguar Hasani.
Se çfarë masash ka ndërmarr pasi janë paraqitur këto raste të vetëlëndimit të nxënësve në Lipjan, Hasani tha se drejtorët e shkollave janë marrë intensivisht me prindërit e nxënësve dhe nxënësve po u ndalohen telefonët në shkolla.
“Ka shkollë që s’ia lenë telefonin, po ata po e këqyrin rrjetin social te shtëpia, po mendoj i ndalum është telefoni [në shkolla], po s’po mundemi m’i kontrollu… Kemi bërë apel te prindërit, gjimnazi i ka “kërcënuar” nxënësit edhe prindërit i ka informuar që nëse ndodhë keni me marrë përgjegjësinë ju, keni m’u suspendu, e kësi masa edhe psikologët normal janë t’u shku nëpër shkolla për këto probleme” – njoftoi Hasani.
Për “Sfidën e Supermenit” KALLXO.com raportoi më 04.12.2024, se kryetari i Komunës së Lipjanit, Imri Ahmeti, u ka bërë thirrje prindërve dhe personelit arsimor që të shtojnë kujdesin në përmbajtjen që fëmijet ndjekin, për shkak të rritjes së numrit të fëmijëve të lënduar si pasojë e praktikimit të kësaj loje që është shfaqur në “TikTok”.
Sipas njoftimit, ditëve të fundit komuna është njoftuar për rritje të numrit të nxënësve të lënduar si pasojë e kësaj “sfide”.
“Loja quhet Sfida e Supermenit dhe përfshin hedhjen me njërën dorë përpara, duke imituar personazhin Superman. I bëjmë thirrje të gjithë prindërve: Kujdesuni për përmbajtjet që fëmijët ndjekin në platformat sociale dhe ndihmojini të kuptojnë pasojat e mundshme fizike dhe emocionale që mund të shkaktojnë këto lojëra”- thuhet në njoftimin e Komunës së Lipjanit, më 04.12.2024.
Këto nuk janë rastet e para të nxënësve në Lipjan që e lëndojnë veten të nxitur nga video (loja) në “TikTok”.
Pas rreth dy ditësh prej që u raportua se disa nxënës në shkollat e komunës së Lipjanit e kanë lënduar veten të nxitur nga video (loja) në “TikTok” – “Sfida e Supermenit” – ka reaguar Ministria e Arsimit.
Sipas Ministrisë së Arsimit, të gjithë i kanë marrë me shqetësim rastet e lëndimeve të nxënësve si pasojë e përfshirjes në lojëra të rrezikshme online.
Ministria e Arsimit u ka bërë thirrje komunave që t’i trajtojnë këto raste.
“Ftojmë të gjitha strukturat dhe mekanizmat e mbrojtjes, të themeluara në komuna sipas Ligjit për mbrojtje të fëmijës që të bashkëveprojnë me institucionet arsimore për t’i trajtuar këto raste me qasje ndërsektoriale sepse duhet vlerësuar rrethanat e përgjithshme dhe profilet e fëmijëve që ndikohet lehtë dhe përfshihen në rreziqe për vete dhe të tjerët” – thuhet në reagimin e Ministrisë së Arsimit, më 07.12.2024.
Ministria e Arsimit uron që fëmijët e lënduar të marrin shërbimet e nevojshme për shërim e rehabilitim e mos të ndodhin më raste të tilla.
Nga Ministria kanë bërë të ditur se kanë zhvilluar materiale didaktike për edukatorë, mësimdhënës dhe këshilla e udhëzime për nxënës e prindër, prandaj kërkojnë që rreziqet online dhe edukimi për përdorimin e sigurt e të dobishëm të internetit, të trajtohet me efikasitet në shkolla dhe shtëpi.
Ky është reagimi i dytë i Ministrisë së Arsimit për rastet e vetëlëndimit të nxënësve në komunat e Kosovës.
Përveç Ministrisë së Arsimit, edhe Koalicioni i OJQ-ve për Mbrojtjen e Fëmijëve (KOMF) ka shprehur shqetësimin për përhapjen e videos (lojës) së rrezikshme që po qarkullon në “TikTok” – “Sfida e Supermenit”.
Përveç reagimit të tij, KOMF i ka rekomanduar nxënësve, prindërve e mësimdhënësve disa hapa se si të kenë kujdes ndaj kësaj situate.
“KOMF i drejtohet të gjithë nxënësve, kjo nuk është një “lojë” dhe nuk është as “sfidë”. Luajtja e kësaj loje, ju dëmton fizikisht dhe mund të keni pasoja për shëndetin tuaj” – thuhet në reagimin e KOMF, më 07.12.2024.
KOMF u ka bërë thirrje të gjithë nxënësve që t’i raportojnë tek prindërit apo mësimdhënësit nëse kanë informacione se shokët apo shoqet janë të përfshirë në këtë lojë.
“Vetëm kështu mund të ndihmoni vërtet shokët tuaj! Përfshihuni në lojra që ju ndihmojnë të rriteni të fortë e të shëndetshëm dhe qëndroni larg këtyre mashtrimeve” – kanë thënë nga KOMF.
Me këtë rast, KOMF u ka bërë thirrje prindërve që t’i monitorojnë fëmijët gjatë qëndrimi të tyre në internet dhe të flasin me fëmijët për “lojrat” apo “sfidat” e papërshtatshme, rreziqet dhe dëmet që sjellin ato.
Kurse, mësimdhënësve KOMF u rekomandon që të mbajnë sesione informuese dhe vetëdijësuese me nxënësit mbi pasojat që mund të kenë nga lojrat e papërshtatshme dhe se si të zëvëndësohen ato me lojra argëtuese e të shëndetshme.
Rastet e vetëlëndimit të nxënësve në komunat e Kosovës
Pas raportimit të KALLXO.com më 30.05.2024 se 17 nxënëse të shkollave fillore të mesme të ulëta “Mihal Grameno” dhe “Daut Bogujevci” në Fushë-Kosovë i kanë gërvishtur duart e tyre, të nxitur nga një video (lojë) në “TikTok”, një ditë më pas, u raportuan edhe tre nxënës nën moshën 14-vjeçare të shkollës fillore të mesme të ulët “17 Shkurti” në fshatin Gllogovc të komunës së Lipjanit se ishin vetëlënduar.
Reagimi i KOMF i datës 07.12.2024, është reagimi i dytë i tij këtë vit për çështjen e vetëlëndimit të nxënësve nga video (loja) të “TikTok”.
KOMF reagoi edhe më 07.06.2024, pas raportimeve se 20 nxënës të shkollave fillore në Fushë Kosovë e Lipjan kanë lënduar vetën, të nxitur nga një video (lojë) në “TikTok”.
Raste të nxënësve që e lënduan veten të nxitur nga video (loja) në “TikTok” u raportuan edhe në Gjakovë. Të martën, më 08.10.2024, Gjakova e nisi ditën me njoftimin se drejtoresha e Arsimit në këtë komunë, Eranda Kumnova- Baçi i ka raportuar në Polici tri nxënëse se janë vetëlënduar.
Në fund të ditës së martë, dolën edhe 10 raste të tjera të nxënëseve të klasave 6 deri në 9, duke e ngritur numrin në 13 raste të nxënëseve që i kanë lënduar duart me mjete të mprehta.
E më 09.10.2024, u raportua se janë gjithsej 19 nxënëse që kanë lënduar veten në Gjakovë. Kjo u zbulua pasi vazhduan kontrollat e nxënësve në shkolla nga drejtorët e shkollave, psikologët e kujdestarët e klasave.
Të gjitha rastet e nxënëseve që e kanë lënduar veten në Gjakovë janë duke u trajtuar nga Policia e Prokuroria si – shtytje në vetëvrasje.
Zëdhënësi i Policisë së Rajonit të Gjakovës, Sheremet Elezaj, e kishte konfirmuar për KALLXO.com më 09.10.2024, se 19 nxënëse në Gjakovë dyshohet se e kanë lënduar veten në periudha të ndryshme kohore.
Pas raportimeve të KALLXO.com për rastet e nxënëseve të komunës së Gjakovës të cilat kanë lënduar veten të nxitura nga një lojë në “TikTok”, më në fund reagoi ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci.
Përmes një video-mesazhi të publikuar në llogarinë e saj në Facebook, më 10.10.2024, ministrja Nagavci u bëri thirrje prindërve dhe mësimdhënësve që të kujdesen për sigurinë e fëmijëve gjatë përdorimit të teknologjisë.
Nxënësit e lënduan veten edhe në Kamenicë. KALLXO.com raportoi më 14.10.2024, se tetë nxënës të një shkolle fillore të mesme të ulët në një fshat të komunës së Kamenicës, më 11.10.2024, tentuan ta lëndojnë njëri-tjetrin, duke u ndikuar nga një lojë e rrezikshme në “TikTok”.
Këtë e kishte konfirmuar për KALLXO.com, drejtori i Arsimit në Kamenicë, Afrim Dervishi.
Nxënësit në Kamenicë, sipas Dervishit, rrezikuan vetën dhe njëri-tjetrin duke u bazuar në videot e shfaqura në “TikTok”. E gjitha, siç kishte thënë ai, kishte ndodhur para fillimit të mësimit, të premten më 11.10.2024.
Më 19.10.2024, KALLXO.com publikoi hulumtimin “Kosova sheh rritje të vetëlëndimit të nxënësve ndërsa psikologët në shkolla mungojnë”. Në këtë hulumtim u paraqit numri i psikologëve shkollorë në 13 komuna të Kosovës: Prishtinë, Lipjan, Ferizaj, Gjakovë, Skenderaj, Deçan, Suharekë, Viti, Podujevë, Vushtrri, Drenas, Gjilan dhe Prizren.
Rastet e vetëlëndimit në shkolla fillore të mesme të ulëta dhe shkolla të mesme të larta në Kosovë janë duke u rritur përderisa psikologët në shkolla mund të punësohen vetëm nëse shkolla i ka mbi 1000 nxënës, duke u bazuar në një Udhëzim Administrativ të Ministrisë së Arsimit.
Sipas një udhëzimi administrativ të vitit 2013 të Ministrisë së Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit të Kosovës (MASHTI), psikologët në shkolla në Kosovë duhet të jenë përgjegjës për mbi 1,000 nxënës. Kjo do të thotë se psikologët shpesh duhet të punojnë në më shumë se një shkollë në mënyrë që të arrijnë numrin e kërkuar të nxënësve, 1000, dhe mund të mos jenë në gjendje të merren në kohë me ata nxënës që kanë nevojë për vëmendje të menjëhershme.