'Sunny Hill' kthehet në Prishtinë

Festivali “Sunny Hill” do të mbahet në Prishtinë, më 4, 5, 6 dhe 7 gusht 2022.

Kjo është bërë e ditur përmes një deklaratë të përbashkët e Ministrisë së Kulturës, Komunës së Prishtinës dhe Sunny Hill Festival.

Sipas komunikatës, festivali do të mbahet në “një lokacion të përshtatshëm”, përderisa shtojnë se synimet janë që nga viti i ardhshëm, festivali të organizohet në lokacionin e vet afatgjatë.

Por, sipas tyre, një edicion i veçantë me një line-up tjetër do të mbahet në fund të muajit gusht në Tiranë më 26, 27 dhe 28 gusht.

“Në Prishtinë, Sunny Hill Festival për këtë vit ka përgatitur lineup-in më të fuqishëm nga festivalet e rajonit ku përveç artistëve të njohur si Diplo, Skepta, DJ Regard, AJ Tracey, Mahmood dhe artistët më të njohur shqiptarë, për këtë edicion pritet të zbulohen edhe dy artistë shumë të mëdhenj botëror. Një verë e jashtëzakonshme i pret të gjithë shqiptarët në Prishtinë dhe në Tiranë”, thuhet në kumtesë.

Më 14 qershor 2022 u tha zyrtarisht se festivali “Sunnyhill” nuk do të mbahet në Prishtinë, por është zhvendosur për në Tiranë.

Kjo pasi sipas organizatorëve të këtij festivali, ka pasur vonesa të shumta administrative për lokacionin e duke shkaktuar vonesa edhe në organizimin e saj në datat e caktuar.

Anulimi i mbajtjes së festivalit “Sunny Hill” në Prishtinë ka nxitur reagime e institucionet po ia hedhin fajin njëra tjetrës.

Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama tha se deri të anulimi ka ardhur “nga zvarritjet e Qeverisë”, dhe sipas tij, ekzekutivi ka tentuar të “ndërhyjë në vullnetin dhe integritetin e asamblistëve shumicë të Kuvendit Komunal të Prishtinës”.

Ndërkaq, Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal u deklarua duke thënë se nuk bëhet fjalë për anulim nga ana e ministrisë por që ka kërkuar sqarim dhe dokumente shtesë nga Komuna e Prishtinës.

Më 10 maj, Kuvendi Komunal i Prishtinës kishte votuar që kompanisë “Sunny Hill” t’i jepet prona 17-hektarëshe në Bërnicë të Poshtme në shfrytëzim për 99 vite.

Çka parashihte marrëveshja mes Përparim Ramës dhe Dukagjin Lipës? (DOKUMENT)