‘Sunny Hill Festival’ mbahet në javën e parë të muaj gusht 2022 

Edicioni i sivjetëm, i treti me radhë i “Sunny Hill Festival” do të mbahet në javën e parë të muajit gusht 2022.

Kështu kanë bërë të ditur për KALLXO.com organizatorët e këtij festivali.

Alban Kastrati, njëri nga menaxherët e festivalit ka thënë se janë duke u bërë të gjitha përgatitjet për organizimin e këtij festivali.

“Sunny Hill Festival do të mbahet në javën e parë të muajit gusht 2022, dhe të gjitha përgatitjet janë duke u bërë që ky të jetë edicioni më i madh i Sunny Hill i bërë deri tani – si për nga numri i pjesëmarrësve që do të jenë pjesë në festival, po ashtu edhe numri i artistëve performues”, ka thënë Kastrati.

Ky edicion, sipas Kastratit do të zgjerohet e masivizohet për tu shndërruar në një platformë të madhe e cila mbështet shumë segmente të shoqërisë, duke krijuar vlera të rëndësishme ekonomike, sociale e kulturore për vendin.

Kastarti ka thënë se brenda pak ditësh do ta bëhet e ditur një pjesë e rëndësishme e programit të festivalit, i cili, siç ka thënë ai, do t’i tejkalojë pritjet e audiencës së festivalit.

“Prishtina, këtë verë do ta merr sërish gjithë vëmendjen e rajonit, Evropës Juglindore e shumë vendeve të ndryshme të botës, sepse do ta kemi një edicion që do të mbahet në mend gjatë”, ka thënë ai.

Për herë të parë “Sunny Hill Festival” u organizuar në 2018. Festivali organizohet nga Dukagjin Lipa, babai i këngëtares së njohur Dua Lipa.

Përveç 2018, festivali është mbajtur edhe në 2019. Në 2020 dhe 2021 nuk është mbajtur për shkak të Coronaviruesit.

Përveç Dua Lipës në këtë festival kanë kënduar edhe emra të njohur të muzikës  shqiptare dhe asaj botërore.