Policia e Nju Jorkut - Ilustrim, Foto: Pixabay

Sulmuesi i Nju Jorkut më 2017 dënohet me mbi 200 vjet burgim

Një mbështetës i grupit militant, Shteti Islamik, është dënuar me disa burgime të përjetshme nga një gjykatë në Nju Jork.

Sayfullo Saipov vrau tetë persona pasi shkeli me kamionin e tij këmbësorët dhe çiklistët në rrugët e Manhatanit më 2017.

Ai u dënua me dhjetë burgime të përjetshme, plus 260 vjet, dhe nuk do të lirohet kurrë nga burgu.

Gjatë shqiptimit të dënimit, trupi gjykues tha se ai ka “shkatërruar shumë jetë”. Saipov nuk ka shfaqur pendesë gjatë gjykimit.

Saipov është përballur me familjarët e viktimave dhe të mbijetuarit në gjykatë dhe gjykatësi vuri në pah se i pandehuri ishte “absolutisht i papenduar”.

Saipov, shtetas uzbek, 35 vjeç, ishte përdorur një kamion me qira për të kryer sulmin në Nju Jork më 2017.

Ai kishte bërtitur “Zoti është i madh” në gjuhën arabe dhe ishte qëlluar nga policia pasi kishte dalë nga kamioni. Saipov kishte shpresuar se ky akt do të bënte që ai të bëhej pjesë e grupit militant, Shteti Islamik.

Saipov pritet të vuajë dënimin në një burg të sigurisë së lartë në Kolorado, ku të burgosurit kalojnë deri në 23 orë në ditë të mbyllur në qelitë e tyre.

Pesë nga viktimat e Saipovit ishin turistë nga Argjentia, një grua 31-vjeçare ishte nga Belgjika. Edhe dy amerikanë ishin në mesin e viktimave, ndërkaq 12 të tjerë u plagosën.

Duke iu adresuar gjykatës para shqiptimit të dënimit, Saipov dukej se përsëriti lëvdatat për grupin terrorist dhe sugjeroi se nuk ishte i prekur nga dëshmitë që kishte dëgjuar.

Ai i shpëtoi dënimit me vdekje, pasi një juri javën e kaluar nuk arriti një vendim unanim për këtë çështje./ REL