Ilustrim, Foto: Euronews

Sulmuesi i Munihut ishte një azilkërkues afgan 24 vjeçar

Policia gjermane në Munih ka bërë të ditur se shoferi i makinës që mësyu një turmë njerëzish ishte një afgan 24 vjeç – raporton televizioni britanik BBC, duke shtuar se ai ishte një azilkërkues në Gjermani.

Një makinë goditi një grup njerëzish në qytetin gjerman sot paradite, duke lënduar së paku 28 persona. BBC-ja ka raportuar se dy prej të plagosurve janë në gjendje të rëndë shëndetësore. Policia ka thënë se ka edhe persona të tjerë në gjendje kritike.

Ende nuk dihet nëse sulmuesi kishte vepruar qëllimshëm.

Kryeministri bavarez, Markus Soder ka thënë se me sa duket incidenti me makinë në Munih ishte sulm.

Zyrtarët lokalë të Policisë kanë thënë se sulmuesi ishte i njohur për hajni dhe shkelje të lidhura me drogën.

Mediat lokale kanë raportuar se makina mësyu turmën e njerëzve, të cilët po protestonin pas thirrjes për demonstratë nga një Sindikatë Tregtare e Punëtorëve.

Incidenti ka ndodhur një ditë para Konferencës së Sigurisë në Munih. Më vonë gjatë ditës, në qytet pritet të mbërrijnë zëvendëspresidenti amerikan, JD Vance dhe presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky.

Dëshmitarët e incidentit kanë thënë për gazetën gjermane Bild, se dy burra ndodheshin në makinë: një Mini Cooper, në momentin kur mësyu turmën.

Njëri prej burrave është qëlluar nga Policia dhe është larguar nga vendi i ngjarjes – kanë thënë dëshmitarët. BBC-ja nuk ka qenë në gjendje të verifikonte këtë pretendim.

Përgatiti: Rexhep Maloku – Kallxo.com