Policia e Kosovës Foto: Shkodrane Dakaj/KALLXO.com

Sulmuan fizikisht vajzat e tyre, arrestohen baballarët në Gjilan e Prizren

Tri raste të dhunës janë raportuar në Policinë e Kosovës në 24 orët e fundit. Sipas raportit të Policisë, rastet kanë ndodhur në Prishtinë, Gjilan dhe Prizren.

Në Prishtinë Policia ka arrestuar një person nën dyshimin se kishte ushtruar dhunë fizike ndaj bashkëshortes. Me vendim të prokurorit, i dyshuari është dërguar në mbajtje.

Në Gjilan, Policia ka arrestuar një person i cili dyshohet se ka ushtruar dhunë fizike ndaj vajzës së tij të moshës 21-vjeçare.

Sipas Policisë, viktimës i është ofruar tretman mjekësor dhe më pas e njëjta është vendosur në strehimore. Ndërkaq, personi i dyshuar pas intervistimit me vendim të prokurorit është dërguar në mbajtje për 48 orë.

Në Prizren, forcat e rendit kanë arrestuar një person nën dyshimin se në gjendje të dehur kishte sulmuar fizikisht vajzën e tij. Në raportin policor bëhet e ditur se në konsultim me prokurorin, i dyshuari pas intervistimit është dërguar në mbajtje.