Sulmohet punëtori i KEDS në Prizren

Në Prizren një punëtor i KEDS-it është sulmuar fizikisht, nga një konsumator gjatë kohës sa i njëjti ishte duke kryer detyrën e tij. Për pasojë, punëtori i KEDS ka pranuar tretman mjekësor, ndërkaq sulmuesi është shoqëruar në polici.

Për sulmin ka reaguar edhe KEDS.

“Raste të tilla të sulmeve agresive ndaj punëtorëve të KEDS janë një dukuri shqetësuese në rritje, që si pasojë po rrezikojnë jetën dhe shëndetin e punëtorëve të KEDS, e të cilat janë të pa tolerueshme”, thuhet në komunikatën e KEDS.

Po ashtu ata u kanë bërë thirrje konsumatorëve, që t’i ndalin sulmet dhe të mos pengohen zyrtarët e kompanisë në kryerjen e detyrave.

“Njëherazi, KEDS kërkon nga organet e drejtësisë që të trajtojnë me seriozitetin më të lartë, secilin rast të pengimit të punëtorëve të kompanisë në kryerjen e detyrave zyrtare dhe të ndërmerren veprime konkrete ligjore që ndihmojnë në parandalimin e këtyre dukurive negative, pasi veprimet e tilla do të kenë impakt në distribuimin e energjisë elektrike tek të gjithë konsumatorët”, theksohet në komunikatë.

Përkundër rasteve të tilla, KEDS në komunikatën për media, shkruan se mbesin të përkushtuar për t’u shërbyer qytetarëve në ofrimin e shërbimeve të distribuimit me energji elektrike si dhe në trajtimin e barabartë të gjithë secilit.

KALLXO.com ka provuar të kontaktoj edhe me Policinë në Rajonin e Prizrenit, për të mësuar më shumë për rastin, por deri në publikimin e lajmit, nuk ka marrë përgjigje. Jo zyrtarisht, mësohet se për sulmin, një person është shoqëruar në stacionin policor.