Sulmohet një infermier në Spitalin e Mitrovicës, arrestohet i dyshuari

Një person është arrestuar pasi që dyshohet se ka sulmuar një infermier në Spitalin e Përgjithshëm në Mitrovicë, në orët e hershme të mëngjesit të sotëm.

Këtë për KALLXO.com e ka konfirmuar zëdhënësi i Policisë së Kosovës për rajonin e Mitrovicës, Avni Zahiti.

Ai tregoi që i dyshuari është intervistuar dhe me urdhër të prokurorit është liruar në procedurë të rregullt.

Rasti është iniciuar si sulm ndaj personit zyrtar.

Për këtë rast ka reaguar edhe Oda e Infermierëve të Kosovës e cila ka dënuar këtë sulm.

“Sulme të tilla ndaj punëtorëve shëndetësorë në vendet e tyre të punës janë tregues i keq për gjendjen e sigurisë së punonjësve shëndetësorë” – thuhet në reagimin e Odës.

Tutje në reagim thuhet se tolerimi sulmeve të tilla që po përsëriten ndaj mantelbardhëve krijon precedent të rrezikshëm për të ardhmen dhe rritë pasiguri në punë në komunitetin e infermierëve.