Behgjet Pacolli - Foto: REL/EPA-EFE

Sulmohet një autobus në Serbi, Pacolli kërkon nga BE-ja që të veprojë

Një autobus me udhëtarë nga Kosova që po udhëtonin mbrëmë drejt një shteti të Bashkimit Europian është sulmuar në Serbi.

Kështu ka bërë të ditur ministri në detyrë i Punëve të Jashtme, Behgjet Pacolli, përmes një postimi në ‘Twitter’.

Pacolli ka thënë se sulmet e koordinuara kundër qytetarët kosovarë duhet të ndalen, duke nxitur Bashkimin Europian që të veprojë si lehtësues i marrëveshjes për lirinë e lëvizjes.

“Unë e dënoj fuqishëm sulmin ndaj autobusit mbushur me pasagjerë që udhëtonin nga Kosova përmes Serbisë për në Bashkimin Evropian. Serbia vazhdimisht nuk po arrin të garantojë siguri për udhëtarët tanë dhe lirinë e lëvizjes”, ka shkruar Pacolli.

Më tej, ai ka shtuar se kërkon hetim dhe siguri për qytetarët.