Ukrainë, Foto: VOA

Sulmohet me raketa aeroporti i Odesës

Një sulm i forcave të Rusisë me raketa shkatërroi pistën e aeroportit të Odesës, qyteti i tretë më i madh i Ukrainës dhe një port kyç i këtij vendi në Detin e Zi, njoftoi ushtria ukrainase të shtunën.

Në një postim në Telegram, Komanda Operacionale në jug të Ukrainës tha se pista e aeroportit të Odesës është bërë e papërdorshme për shkak të goditjes me raketa.

Autoritetet lokale u kërkuan banorëve të zonës të strehohen pasi agjencia ukrainase e lajmeve UNIAN, duke cituar burime të ushtrisë, njoftoi se në Odesa ishin dëgjuar disa shpërthime.

Guvernatori rajonal i Odesës Maksym Marchenko tha se raketa që goditi pistën e aeroportit ishte lëshuar nga Krimea, gadishulli ukrainas i aneksuar nga Rusia në vitin 2014. Zoti Marchenko tha se nuk kishte raportime për të lënduar.

Forcat ruse kanë nisur një operacion të madh ushtarak për të pushtuar pjesë të konsiderueshme të Ukrainës jugore dhe lindore, zemra industriale e vendit si dhe për të marrë kontrollin e vijës bregdetare në Detin e Zi dhe atë Azov./VOA