Foto: AGK
Sulmohet me gurë vetura e ATV-së në Zveçan, lëndohen gazetari dhe kameramani
Gazetari i televizionit ATV, Fatlum Jashari dhe kameramani Blend Thaçi kanë pësuar lëndime trupore si pasojë e një sulmi në drejtim të veturës së tyre në Zveçan.
Vetura televizionit ATV është sulmuar me gurë.
Kështu ka njoftuar Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës, teksa ka njoftuar se ekipi ka qenë duke përcjellur zhvillimet e fundit në këtë komunë.
“Sipas mediumit, disa persona të maskuar, e kanë sulmuar me gurë veturën derisa ishte në lëvizje, e që si pasojë lëndime të lehta trupore kanë marrë gazetari Fatlum Jashari dhe kameramani Blend Thaçi, si dhe iu janë thyer xhamat veturës”- thuhet në reagimin e AGk-së.
Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës ka bërë thirrje Policisë së Kosovës, dhe prezencës ndërkombëtare atje të krijojnë kushte më të mira për gazetarët.
Policia e Kosovës ka arrestuar një serb të dyshuar për organizim të sulmeve ndaj forcave të KFOR-it dhe Policisë së Kosovës në Zveçan.
I arrestuari, siç ka njoftuar ministri, është “Milun Milenkoviq- Llune, njëri nga udhëheqësit e formacionit kriminal “Mbrojtja Civile” dhe prijës e bandave kriminale”.
Si shkak i këtij arrestimi, alarmi për disa minuta është dëgjuar në komunën e Mitrovicës Veriore. Njësitë speciale tashmë janë pozicionuar në lagjen e boshnjakëve afër shkollës teknike.
Që nga mesdita e 26 majit serbët lokalë të komunave veriore të Zubin Potokut, Zveçanit dhe Leposaviqit janë grumbulluar dhe kanë protestuar duke kundërshtuar vendosjen e katër kryetarëve të rinj në objektet komunale.