
Sulmohet me armë zjarri Policia e Kosovës në veri
Policia e Kosovës ka njoftuar se sot nga persona të dyshuar është shtënë me armë zjarri në drejtim të patrullës policore, e cila ka qenë me detyrë zyrtare në lokacionin Banjskë – Izvor të komunës së Zveçanit.
Sipas njoftimit, fatmirësisht nuk raportohet për zyrtarë policorë të lënduar, përveç dëmeve materiale të shkaktuara në veturën zyrtare të Policisë së Kosovës, përkatësisht në dritaren/xhamin e automjetit zyrtar nga ana e majtë e vozitësit, i cili dyshohet të ketë qenë edhe cak i sulmit me armë zjarri.
“Lidhur me rastin janë ndërmarr veprimet e nevojshme operative hetimore, përfshirë edhe ekzaminimin e vendit të ngjarjes, nga ku është konstatuar se vetura është goditur me një predhë të armës së zjarrit” – thuhet në njoftimin e Policisë.
Njësitet relevante policore kanë vazhduar me hetime intensive, duke arritur të identifikojnë një veturë të dyshuar të braktisur (xhip-opel), në një rrugë malore në distancë prej rreth 250 metra largësi, e cila dyshohet se mund të jetë e përfshirë në rast.
“Po ashtu në afërsi të automjetit të dyshuar janë vërejtur edhe gjurmët e personave të dyshuar të cilët kanë ikur në drejtim të panjohur” – thuhet në njoftim.
Policia njofton se automjeti i dyshuar i cili ka poseduar targa të dyshuara, të cilat dyshohet se nuk i përkasin të njëjtit automjet, është konfiskuar nga Policia e Kosovës për të vazhduar me procedurat e mëtejme hetimore dhe të ekzaminimit.
Në bashkëpunim dhe koordinim me prokurorin kompetent është iniciuar rasti – vrasje në tentativë dhe sulm ndaj personit zyrtar.