Behgjet Pacolli - Foto: REL/EPA-EFE

Sulmohet Konsulata e Kosovës në Danimarkë

Ministri në detyrë i Punëve të Jashtme, Behgjet Pacolli, ka njoftuar se sot në mëngjes është sulmuar Konsulata e Kosovës në Danimarkë.

Ai ka thënë se Kosova e dënon këtë sulm.

“Sot, në orët e hershme të mëngjesit është sulmuar Konsullata e Republikës së Kosovës në Kopenhagë, në Mbretërinë e Danimarkës si dhe është dëmtuar Stema e Shtetit të Kosovës nga banditët dhe huliganët serbë në Danimarkë. Ne e dënojmë këtë veprim qyqar që shkel Konventën e Vjenës dhe sigurinë e ambienteve diplomatike dhe konsullore”, ka shkruar Pacolli në Facebook.

Kryediplomati kosovar ka thënë se “sulmet e vazhdueshme të huliganeve serbë” tregojnë frustrimin e shtetit serb ndërsa ka thënë se po punohet me autoritetet daneze për zbardhjen e rastit.

“Ne jemi duke punuar me autoritetet daneze për të sjellë përgjegjësit para drejtësisë. Sulmet e vazhdueshme të huliganëve serbë kundër ambienteve diplomatike dhe konsullore të Kosovës tregojnë vetëm frustrimin e politikës së ngecur të Serbisë e cila ende nuk don të kuptoj se qe 11 vjet në Balkanin Perëndimor ekziston një shtet i pavarur që quhët Republika e Kosovës. E denojmë fuqishem propagandën serbe dhe fushatën agresive të Serbisë kundër Republikës së Kosovës”, ka deklaruar Pacolli.