Sulmohen sërish forcat e rendit në veri, dyshohet se me mjete piroteknike

Policia e Kosovës ka njoftuar se sot rreth orës 03:10 në Jarinjë është sulmuar një veturë e forcave të rendit me mjete shpërthyese.

“Sot, më 16.04.2022, rreth orës 03:10, në Sharpej të Jarinjës, kanë ndodhur dy shpërthime (dyshohet nga mjete piroteknike). Shpërthimet kanë ndodhur afër veturës së policisë e cila ishte në një pikë statike ku policia ishte e përqendruar në parandalim të kontrabandës në atë zonë”, thuhet në njoftimin e forcave të rendit.

Sipas policisë, ngjarja ka ndodhur jo shumë larg territorit të Serbisë dhe dyshimet janë që mjetet janë hedhur nga territori i shtetit serb.

“Nga shikimi i vendit të ngjarjes është vërejtur se në xhamin e veturës policore ka mbetur një copë letre (dyshohet mbështjellës i mjeteve piroteknike). Ngjarja ka ndodhur në një pjesë që është afër territorit të Serbisë dhe dyshimi i bazuar është se këto mjete janë hedhur nga territori i Serbisë. Policia ka qenë duke monitoruar një rrugë ilegale të mbyllur kohë më parë dhe e cila përdorej për kontrabandë të mallrave”, thuhet tutje në njoftim.

Nga ky rast, nuk ka persona të lënduar as dëme materiale. Policia është duke e trajtuar rastin dhe do të vazhdojë aktivitete operative për të parandaluar aktet kriminale trans-kufitare në atë zonë dhe ofrimin e sigurisë për të gjithë.

Dje gjatë ditës, në një konference për media, drejtori i Policisë dhe ministri i Punëve të Brendshme treguan që ka pasur edhe sulme të tjera në drejtim të forcave të rendit në veri të Kosovës.