K.R.U. Gjakova. Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Sulmohen fizikisht kryeshefi dhe punëtori i ‘KRU Gjakova’

Hasan Krasniqi, kryeshef i Kompanisë Rajonale të Ujësjellësit në Gjakovë dhe një punëtor tjetër i kësaj kompanie, janë sulmuar të mërkurën fizikisht nga dy persona.

Ngjarja dyshohet se ka ndodhur në dy raste të ndara, ndërsa sipas Krasniqit, ndërlidhet me kontrollet për keqpërdorim të ujit.

Sipas tij, gjatë ditës së djeshme punëtorët e ujësjellësit kanë shkuar për kontroll tek një autolarje por që sipas Krasniqit është refuzuar kontrolli dhe është sulmuar fizikisht punëtori i ujësjellësit.

I dyshuari është arrestuar dhe dërguar në mbajtje, ndërsa Krasniqi ka bërë të ditur se në mbrëmje vëllai të dyshuarit e ka sulmuar edhe vetë Krasniqin.

“Derisa isha duke u kthy në shtëpi, rreth orës 23:00 më ka sulmu afër shtëpisë vëllai i të dyshuarit që ka sulmuar punëtorin tonë. Tash të dy gjenden në mbajtje. Kjo është çka ka ndodhë” – ka thënë Krasniqi për KALLXO.com.

Këto dy sulme ndaj punëtorëve të ujësjellësit dhe kryeshefit Krasniqi janë raportuar edhe në raportin 24 orësh të Policisë së Kosovës dhe janë iniciuar si sulm ndaj personit zyrtar.