Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Sulmohen fizikisht dy policë në Graçanicë, njëri nga ta përfundon për spital

Policia e Kosovës ka njoftuar se gjatë mbrëmjes së djeshme, dy zyrtar policor janë sulmuar fizikisht nga dy qytetar në Graçanicë, dhe njëri nga ta ka pësuar lëndime të shkallës më të rëndë, andaj i është nevojitur trajtimi në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës.

Sipas Policisë dy qytetarët, një grua dhe një burrë, nuk kanë respektuar orën policore, ndërsa tek i ka ndaluar Policia, rreth orës 22:20 jashtë një lokali gastronomik, të dyshuarit kanë kundërshtuar urdhrat e zyrtarëve të rendit dhe i kanë sulmuar ata fizikisht.

“Dy të dyshuarit janë arrestuar dhe pas intervistimit me urdhër të Prokurorit e dyshuara, është liruar ndërsa i dyshuari është dërguar në mbajtje”, thuhet në raportin 24 orësh të Policisë së Kosovës.

Dy policëve që pësuan lëndime të lehta trupore u është ofruar ndihma mjekësore. Njëri prej tyre, për shkak të pësimit të lëndimeve më serioze, është dërguar në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës. Policia ka njoftuar se rasti po vazhdon të hetohet.