Sulmohen disa zyrtarë policorë në Vushtrri

Disa zyrtarë policorë nga Vushtrria janë detyruar që të përdorin sprej ndaj dy personave të dyshuar, të cilët thuhet se kanë sulmuar fizikisht dhe kanë kanosur këta të parët.

Sipas njoftimit të Policisë së Kosovës, ngjarja ka ndodhur pak para mesnatës së djeshme në rrugën “Pandeli Sotiri”, ku dy të dyshuarit në gjendje të dehur fillimisht janë përfshirë në një përleshje në mes disa personave.

“Të dyshuarit, në gjendje të dehur kanë sulmuar fizikisht zyrtarët policor të cilët kanë pësuar lëndime, e po ashtu i kanë kanosur e fyer të njëjtit vazhdimisht, ndërsa zyrtarët policor për ta vënë situatën kanë përdorur sprej-in”, thuhet në njoftimin e Policisë.

Tutje është treguar se zyrtarëve policorë u është ofruar tretman mjekësor.

Tretman mjekësor kanë pranuar edhe dy të dyshuarit të cilit fillimisht e kanë refuzuar një të tillë.

Më pas, me vendim të prokurorit, të dyshuari janë dërguar në mbajtje.