Armatimi i sekuestruar në veri. Foto: Adelina Ahmeti KALLXO.com/30.11.2024

Sulmi terrorist në kanalin e Ibër Lepencit - krejt çfarë dihet deri më tani

22:28 – Ujësjellësi “Mitrovica” njofton se ka nis furnizimin me ujë të pijes

Kompania Rajonale Ujësjellësi “Mitrovica” ka njoftuar se ka nis furnizimi me ujë.

Në njoftim, ujësjellësi ka bërë thirrje që të përdorët uji në mënyrë racionale.

“Ju njoftojmë se në këto çaste kemi filluar trajtimin dhe shpërndarjen e ujit, por me kapacitet të reduktuar” – thuhet në njoftim.

“Furnizimi me ujë të pijes fillimisht do arrijë tek konsumatorët të cilët gjenden të pika të ulëta e gradualisht uji do të arrij edhe në kate të larta të banesave kolektive. Lusim konsumatorët të që të përdorin ujin sa më racionalisht në mënyrë që rrjeti të mbushet sa më shpejt me ujë të pijes e me këtë t’u mundësohet të gjithëve të kenë qasje në ujë të pijes” – thuhet në fund të njoftimit.

22:23 – Kurti e Rizvanolli garantojnë siguri të furnizimit me rrymë dhe ujë të pijshëm pas sulmit në Ibër-Lepenc

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, njofton se institucionet dhe ndërmarrjet publike në vend janë duke punuar për të garantuar siguri të furnizmit me energji elektrike dhe ujë të pijshëm.

“Institucionet dhe ndërmarrjet publike të Republikës së Kosovës janë duke punuar me dedikim për të garantuar siguri të furnizimit me energji elektrike dhe ujë të pijshëm për të gjithë qytetarët”- ka shkruar Kurti, më 30.11.2024.

Pas sulmit në kanalin e ujit në Iber-Lepenc, mbrëmjen e së premtes (29.11.2023), lokalitete të ndryshme në disa komuna të vendit, po ballafaqohen me mungesë të ujit të pijes.

21:21 – Mungesa e ujit pas sulmit në Ibër-Lepenc, vendoset një cisternë me ujë pranë Kalasë së Vushtrrisë

Kompania Regjionale e Ujësjellësit “Mitrovica”, ka vendosur një cisternë me ujë të pijes pranë Kalasë së qytetit në Vushtrri.

Për shkak të sulmit të mbrëmshëm (29.11.2024) në kanalin e ujit në Ibër-Lepenc, disa lokalitete të Mitrovicës dhe Vushtrrisë po përballen me mungesë të ujit.

Në një njoftim të Komunës së Vushtrrisë thuhet se kryetari i kësaj komune, Ferit Idrizi, është në komunikim të vazhdueshëm me institucionet kompetente për këtë çështje.

“Në terren gjendet edhe kryetari i Komunës së Vushtrrisë, Ferit Idrizi, i cili ka vizituar cisternën nga e cila po furnizoheshin qytetarët vushtrrias. Ndër të tjera, kryetari Idrizi, tha se është në komunikim të vazhdueshëm me institucionet relevante pas sulmit të mbrëmshëm ku u dëmtua kanali i Ibër Lepencit, duke bërë kështu që të ketë ndërprerje të furnizimit me ujë të pijshëm”- njofton Komuna e Vushtrrisë, të shtunën më 30.11.2024.

20:54 – Kryeministri i Hungarisë dënon sulmin në Zubin Potok, kërkon hetim të paanshëm

Kryeministri i Hungarisë, Viktor Orban, ka dënuar sulmin në Ibër-Lepenc, njëherësh ka bërë thirrje për hetim të paanshëm të rastit, në mënyrë që “të shmanget përshkallëzimi i mëtejmë në rajon”.

“Dënojmë sulmin kundër infrastrukturës kritike të #Kosovës në Zubin Potok. Në vend të akuzave të njëanshme, ne bëjmë thirrje për një hetim të paanshëm dhe gjithëpërfshirës. Përmbajtja është e domosdoshme për të shmangur përshkallëzimin e mëtejshëm në rajon”- ka shkruar, Orban në X, të shtunën më 30.11.2024. 

Një shpërthim ka ndodhur më 29.11.2024 në kanalin e ujit të Ibër-Lepencit në fshatin Varagë të komunës së Zubin Potokut.

19: 54 – Sveçla e Hoxha nuk pranojnë të tregojnë se kush u arrestua sot në veri

Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla e drejtori i përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Gazmend Hoxha nuk kanë pranuar që të tregojnë se kush janë personat që u arrestuar e u shoqëruan në stacionet policore gjatë ditës së sotme, pas sulmit terrorist në kanalin e ujit në Ibër-Lepenc.

Xhelal Sveçla dhe Gazmend Hoxha

Të pyetur se pse nuk po tregojnë se kush janë këta persona, Hoxha e Sveçla thanë se nuk duan që të ndikojnë në hetimet intensive që janë duke u zhvilluar për rastin në fjalë.

“Hetimet lidhur me këtë rast janë intensive dhe me qëllim që mos me dëmtu në asnjë mënyrë hetimin ne jemi të rezervuar me nda informata që janë të rëndësishme” – tha ministri Sveçla.

Sveçla u pyet edhe nëse është arrestuar një person, i cili ka lidhje me një media në gjuhën serbe në Kosovë, por edhe për këtë ai tha se nuk ka ndonjë informacion.

“Për sa i takon profileve unë nuk mund të deklarohem. Në këtë moment është çështje e punës së vazhdueshme të hetuesisë për të punuar me këta individ” – tha Sveçla.

Ministri Sveçla, bashkë me drejtorin e përgjithshëm të Policisë së Kosovës, Gazmend Hoxha kanë mbajtur një konferencë për media ku treguan për disa bastisje që u kryen sot, më 30.11.2024, në veri të vendit.

Një numër i konsiderueshëm i armëve, pajisjeve ushtarake e pajisjeve të tjera është gjetur gjatë këtyre bastisjeve në veri.

Deri më tani, siç kanë bërë të ditur vet ministri e drejtori i Policisë, janë arrestuar dhe shoqëruar në stacione policore tetë persona.

19:19 – Thirrja e djeshme në grupe të ‘Telegramit’ për të dëmtuar pajisjet e Policisë në veri, flet ministri Sveçla

Në një grup në rrjetin social “Telegram”, në të cilën flitet në gjuhën serbe e temë kryesore është situata e sigurisë në veri të Kosovës, mbrëmë (29.11.2024), qytetarëve iu bë një thirrje.

Disa pajisje të Policisë së Kosovës – e që në mesazhin e dërguar në këtë grup thuhet se janë kamera me valë – u kërkua që të thyhen.

“Luten qytetarët, mbi të gjitha ata që janë të gatshëm të japin mbështetje në luftën e mëtejshme kundër pushtuesit, që të thyejnë dhe heqin këto pajisje për kamerat me valë (kamera wireless)! Kjo do të na lehtësojë dhe do të na japë hapësirë ​​për veprime të mëtejshme! Ato janë të vendosura kryesisht në pemë dhe nuk kanë kabllo” – thuhet në këtë mesazh.

Një fotografi që duket se është bërë gjatë natës iu bashkua këtij mesazhi, që në grup u dërgua më 29.11.2024 në 11:40h, pra pak para mesditës.

Po atë ditë, në mbrëmje u krye më pas edhe sulmi terrorist me eksploziv që dëmtoi kanalin e ujit të Ibër-Lepencit në Zubin Potok.

Për këtë çështje, KALLXO.com ka pyetur ministrin e Punëve të Brendshme, Xhelal Svecla gjatë konferencës së jashtëzakonshme të mbajtur pas sulmit terrorist.

“Institucionet e Republikës së Kosovës në veri në vazhdimësi atakohen, vitin e kaluar ne kemi pas diku 107 sulme ndaj Policisë, prona e tyre, mjetet e punës së tyre në vazhdimësi cenohen nga këto elemente terroriste, përfshirë edhe thirrjen për sulm ndaj pjesëtarëve të saj apo pajisjeve të cilat Policia i përdor”– tha ministri.

Ai tutje shtoi se është në dijeni për këtë mesazh që u dërgua në grup, por që nuk ka ndonjë informacion tjetër.

“Unë jam në dijeni për rastin të cilin ju po e përmendini, realisht nuk kemi ndonjë informacion që ata kanë pas sukses në këtë rast, me gjithë atë edhe vet thirrja për rezistencë kriminale apo thirrja që me i dëmtu asetet qoftë të Policisë, qoftë kritike të shtetit të Kosovës është vepër e rëndë penale dhe patjetër e ndëshkueshme”– u shpreh i pari i MPB-së.

19:12 – Sulmi në Ibër-Lepenc, Hoxha: Pë realizimin e sulmit u përdorën eksplozivë deri në 20 kilogramë 

Për sulmin në kanalin e Ibër-Lepencit, drejtori i përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Gazmend Hoxha, ka thënë se është përdorur një sasi e konsiderueshme e eksplozivit nga 15 deri në 20 kilogramë.

Siç tregon Hoxha, eksplozivi ka qenë i vendosur  në një çantë të zezë, e cila është aktivizuar me detonatorë mekanikë përmes fitilit ndezës me djegie të ngadalshme.

“Si pasojë e këtij sulmi janë shkaktuar dëme të mëdha materiale në kanalin e Ibër-Lepencit, si pasojë e të cilave është ndërprerë furnizimi me ujë të pijshëm për shumë zona dhe lokalitete si dhe duke rrezikuar tejmase edhe funrnizimin me energji elektrike apo edhe rrezikun me pasoja më të rënda për avari me sitemin energjetik të Republikës së Kosovës”- është shprehur Hoxha. 

Gjatë fjalës së tij në konferencën e thirrur për media, drejtori i përgjithshëm i Policisë tha se sipas hetimeve të deritanishme, “është e qartë që kemi të bëjmë me një grup mirë të organizuar të cilët kanë njohuri dhe shkathtësi në përdorimin e mjeteve shpërthyese”. 

Përveç kësaj, Hoxha ka përmendur edhe raste të tjera ku institucionet e Kosovës u bënë cak i sulmeve me granata dore dhe mjete të tjera shpërthyese, për çka thotë se gjatë muajve të fundit insitucionet e vendit po sfidohen, siç thotë ai, nga grupe kriminale e terroriste, të cilat po cënojnë dhe kërcënojnë sigurinë dhe rendin publik të Kosovës. 

“Vetëm në gjshtëmujorin e fundit, përkatësisht që nga muaji qershor i vitit 2024, në komunat me shumicë serbe në veri të vendit janë evidentuar 10 raste të sulmeve me mjete shpërthyese, të cilat ishin të drejtuara ndaj qytetarëve të Republikës së Koosvës, pa dallim”- ka thënë Hoxha.

Përveç rastit të mbrëmshëm (29.11.2024), Hoxha ka përmendur edhe dy raste të tjera të sulmeve në komunën e Zveçanit. 

“Rasti  i datës 26.11.2024 sulmi terrosist me dy garabat dore te stacioni policor në Zveçan që si pasojë e këtij sulmi terrorist janë shkaktuar dëme të konsiderushem materiale në objektin  Stacionit  të Policisë dhe të pronës  së sajë duke rrezikuar edhe jetën e zyrtarëve policor… Rasti i datës 28.11.2024, sulmi terrosit me grabatë dore në objektin e komuëns së Zvecanit”- ka shtuar tutje Hoxha. 

19:03 – FSK vendosë patrulla në Obiliq e Vushtrri për ruajtjen e infratrukturës kritike – VIDEO

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka thënë se ndër vendimet e para që dolën nga mbledhja e Këshillit të Sugurimit, për situatën pas sulmit në kanalin e Ibër-Lepencit, ishte angazhimi i FSK-së në mbështetje të autoriteteve civile përmes patrullimit dhe vëzhgimit të pikave të infratrukturës. 

“Ndër vendimet e dala nga mbledhja e Këshilllit të Sigurisë, që e mbajtëm në orët e para të mëngjesit ishte angazhimi i FSK-së në mbështetje të autoriteteve civile përmes detyrave të patrullimeve dhe vëzhgimit të pikave të infrastrukturës kritike në lokacione të ndryshme në Kosovë”- ka shkruar Kurti. 

Përmes një video të publikuar në llogarinë e tij në Facebook,  Kurti tregon se patrulla të FSK-së jane vendosur në regjionin e Obiliqit dhe të Vushtrisë, me qëllim mbrojtjen e infrastrukturës kritike. 

“Pas vizitës në Varagë të Zubin Potokut, kësaj radhe me ministrin e Mbrojtjes, Maqedonci ishim në pikat statike dhe patrullat ushtarake të vendosura në regjionin e Obiliqit dhe Vushtrrisë. Jemi të përkushtuar për garantimin e sigurisë dhe mirëqenies së qytetarëve”- ka shkruar Kurti, të shtunën, më 30.11.2024. 

18:35 – Sveçla: Eksplozivi me të cilin u krye sulmi në Ibër-Lepenc është pothuajse i pamundur të gjendet në tregun e zi

Ministri i Punëve të Brendshme të Kosovës, Xhelal Sveçla, ka hedhur dyshime se eksplozivi i mbrëmshëm me të cilin u krye sulmi në Ibër-Lepenc mund të jetë marr nga ndonjë magazinë e ushtrisë.

Teksa ka folur për sekuestrimin e armatimeve të shumta që janë bërë kohëve të fundit, ai ka thënë se një shumicë absolute e prodhimeve janë serbe.

“Një pjesë e madhe e tyre janë ekskluzivisht ushtarake të cilat nuk gjenden lehtë as në tregun e zi e të mos flasim për treg legal. Eksplozivi i përdorur mbrëmë është një material i cili është pothuajse i pamundshëm të gjendet, përpos nëse është furnizuar drejtpërdrejtë në magazinat e ushtrisë” – tha ministri.

Një numër i konsiderueshëm i armëve, pajisjeve ushtarake e pajisjeve të tjera është gjetur gjatë këtyre bastisjeve në veri.

Deri më tani, siç kanë bërë të ditur vet ministri e drejtori i Policisë, janë arrestuar dhe shoqëruar në stacione policore tetë persona.

18:21 – Hoxha: Shumica e personave në pronat e të cilëve janë kryer kontrolle lidhen me Mbrojtjen Civile

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Gazmend Hoxha ka dhënë detaje shtesë lidhur me kontrollet që janë kryer në 10 lokacione të ndryshme gjatë ditës së sotme, më 30.11.2024, në veri të Kosovës.

Sipas Hoxhës, shumica e kontrolleve u kryen në pronën e personave që kanë lidhje me organizatën “Mbrojtja Civile”, e cila gjatë vitit të kaluar është shpallur si organizatë terroriste nga Qeveria e Kosovës.

“Shumica e personave në pronat e të cilëve janë kontrolluar janë persona të dyshimtë të ndërlidhur me Mbrojtjen Civile e që nga Qeveria është shpallur organizatë terroriste”– theksoi drejtori i PK-së.

Madje ai tha se po këta persona mund të kenë lidhje edhe me Millan Radoiçiqin, i pandehuri kryesor për sulmin terrorist të 23.09.2024 në Banjskë të Zveçanit.

Një numër i konsiderueshëm i armëve, pajisjeve ushtarake e pajisjeve të tjera është gjetur gjatë këtyre bastisjeve në veri.

Deri më tani, siç kanë bërë të ditur vet ministri o Brendshëm Xhelal Sveçla e drejtori i Policisë, janë arrestuar dhe shoqëruar në stacione policore tetë persona.

18:15 – Maqedonci thotë se sulmi në Ibër-Lepenc kishte synim mohimin e shërbimeve esenciale për qytearët

Pas sulmit në kanalin e Ibër-Lepencit mbrëmjen e së premtes (29.11.2024), ministri i Mbrotjes, Ejup Maqedonci, në një intervstë në klankosova.tv, ka bërë të ditur se situata tashmë është e menaxhueshme.

“Ne e kemi tanimë një situatë të menaxhueshme, të gjitha institucionet, dikasteret qeveritare, janë të koordinuara mes veti si asnjëherë më parë”- ka thënë Maqedonci, të shtunën më 30.11.2024.

Ministri Maqedonci ka dekalruar se ky sulm ishte një sulm terrorist kundër infratrukturës së vendit tonë dhe se qëllimi i këtij sumi, sipas tij ishte mohimi i shërbimeve esenciale për qytetarët.

“Në Këshillin e Sigurisë, zakonisht bëjmë një analizë të situatës, ku në këtë rast, secili dikaster ka paraqitur pikëvështrimin e tyre dhe që të gjithë kemi ardhur në konkludim se ky sulm terrorist kundër infrastrukturës kritike të vendit tonë, kishte objektiv taktik mohimin e shërbimeve esenciale për qytetarët e vendit tonë, si dhe dëmtimin energjetik, kurse si qëllim strategjik kishte destabilizimin dhe normalisht gjunjëzimin e shtetit të Kosovës përballë këtyre grupeve”- tha Maqedonci.

Përveç kësaj, ministri i Mbrojtjes,  e ka qujtur akt të tmerrshëm sulmin në Ibër-Lepenc duke thënë se ky sulm kishte për qëllim shkaktimin e dëmve në masë të madhe, jo vetëm të qytetarëve, por të të gjithë shtetit të Kosovës.

“Me të vërtetë ka qenë një akt i tmerrshëm që kishte synim dëmtim në masë dhe ky akt patjetër që kërkon një reagim të tillë, por siguroj të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës që institucionet tona janë duke e bërë të pamundurën që përveç se të mbajnë në kontroll situatën, të mbështesin qytetartë dhe gjithashtu në  ndjekjen  e kryerësve të kësja vepre”- është shprehur Maqedonci.

Tutje ai ka thënë se ky sulm ishte edhe “bazament kanë politikën hegjemoniste në Serbi”.

 

18:09 – Mbi 200 uniforma ushtarake, armë e zolla – krejt çka u gjet në bastisjet në veri

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Gazmend Hoxha ka treguar se çka është gjetur sot, më 30.11.2024, në baritjes që u zhvilluar në veri të Kosovës.

Ai ka thënë se në 10 lokacionet që u kryen bastisjet pas sulmit terrorist në Ibër-Lepenc janë gjetur mbi 200 uniforma ushtarake, gjashtë zolla nga të cilat tri janë të përdorura, tri granata dore, dy armë automatike AK-47, një revole, municione të kalibrave të ndryshëm, pjesë të armëve, fitila ndezës për inicim të lëndëve plasëse, helmeta ushtarake, maska thika, të holla në euro dhe në dinarë dhe pajisje të tjera.

Madje, ai tha se në një rast të ndarë në Zveçan janë gjetur dy armë automatike AK-47, tri revole, një armë e gjuetisë, dy armë dekorative, gjashtë karikatorë të AK-47, municione të kalibareve të ndryshëm, uniforma ushtarake, pjesë e sipërme e uniformës së Policisë së Kosovës.

Në anën tjetër, ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla ka thënë se që nga mëngjesi i sotëm, 30.11.2024, janë arrestuar dhe shoqëruar në Policinë e Kosovës tetë persona.

“Siç është bërë e ditur pas hetimeve intensive sot në orët e mëngjesit në 10 lokacione janë realizuar kontrolle me ç’rast janë arrestuar dhe shoqëruar në stacione policore 8 persona të dyshuar për përfshirje në veprime kriminale e terroriste” – tha ministri.

17:57 – Sveçla: Janë arrestuar dhe shoqëruar në Polici tetë persona

Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka thënë se që nga mëngjesi i sotëm, 30.11.2024, janë arrestuar dhe shoqëruar në Polici tetë persona, si dhe janë realizuar kontrolle në 10 lokacione të ndryshme në veri të Kosovës.

“Siç është bërë e ditur pas hetimeve intensive sot në orët e mëngjesit në 10 lokacione janë realizuar kontrolle me ç’rast janë arrestuar dhe shoqëruar në stacione policore 8 persona të dyshuar për përfshirje në veprime kriminale e terroriste” – ka njoftuar Sveçla.

Ai shtoi se sulmet e vazhdueshme siç janë këto të fundit në Zveçan me granat dore e edhe sulmi terrorist i ndodhur mbrëmë, më 29.11.2024, ku u dëmtua rëndë kanali i ujit në Ibër-Lepenc janë të dirigjuara nga Serbia.

“Pas këtij sulmi që cilësohet më i rëndi ndaj infrastrukturës që nga përfundimi i luftës, të gjitha institucionet kanë bashkërenduar aktivitetet e tyre në teren” – tha Sveçla.

Madje, sipas tij, ky sulm nuk është i rëndomtë, por është i planifikuar mirë nga organizatat që janë profesioniste e që shkaktojnë dëme të tilla.

17:49 – Konferenca e jashtëzakonshme e Policisë, prezantohet armatimi i sekuestruar në veri- FOTO

Policia e Kosovës pritet të mbajë një konferencë për media lidhur me zhvillimet e fundit në veri të Kosovës.

Policia ka prezantuar uniforma ushtarake, logo, këpucë, armë të kalibrave të ndryshme të cilat janë sekuestruar nga zyrtarët policorë.

Policia e Kosovës ka kryer bastisje në Zveçan dhe ka gjetur armë.

KALLXO.com merr vesh se gjetja e armëve nuk ndërlidhet me rastin e shpërthimit në kanalin e ujit të Ibër-Lepencit.

Bastisja, sipas burimeve, është duke vazhduar ende.

Një shpërthim ka ndodhur më 29.11.2024 në kanalin e ujit të Ibër-Lepencit në fshatin Vrragë të komunës së Zubin Potokut.

Qeveria e Kosovës thotë se ky sulm është dirigjuar e orkestruar nga Serbia e i kryer nga profesionistë. Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka konfirmuar se tashmë janë bërë arrestimet e para në lidhje me këtë rast. Këtë sulm e kanë dënuar edhe nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe nga Bashkimi Europian.

Përfaqësuesi i Lartë i Bashkimit Europian, Joseph Borrel e ka quajtur sulm terrorist shpërthimin në kanalin ujor të Ibër Lepencit në Varagë të Zubin Potokut.

Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, ka njoftuar më 30.11.2024 se pavarësisht dëmtimit që shpërthimi shkaktoi në kanalin e Ibër-Lepencit, kanë arritur të sigurojnë energji elektrike për vendin përmes vendosjes së gjashtë gypave të përkohshëm, me kapacitet të mjaftueshëm për të siguruar ujë për ftohjen e termocentralit “Kosova B”.

Për këtë çështje, Këshilli i Sigurisë së Kosovës ka mbajtur mbledhje të jashtëzakonshme në orën 1:30 të mëngjesit të sotëm (30.11.2024), ku ka diskutuar për këtë shpërthim. Në mbledhje, sipas një komunikate për media, u fol për ndërlidhjen e mundshme të rastit të djeshëm, me një sulm të ngjashëm rus në Ukrainë javën e kaluar.

Në këtë mbledhje janë diskutuar edhe masat emergjente që janë marrë dhe po merren për të zbutur pasojat e sulmit dhe për të garantuar sigurinë e infrastrukturës kritike në vend.

Ndërkohë, ekipe të Misionit Paqeruajtës të NATO-s në Kosovë, KFOR, kanë dalë më 30.11.2024 në vendin e ngjarjes ku ka ndodhur shpërthimi.

Armatimi i sekuestruar në veri. Foto: KALLXO.com/30.11.2024
Armatimi i sekuestruar në veri. Foto: KALLXO.com/30.11.2024
Armatimi i sekuestruar në veri. Foto: KALLXO.com/30.11.2024

Armatimi i sekuestruar në veri. Foto: KALLXO.com/30.11.2024

17:41 – Sulmi në Zubin Potok, shefi i EULEX-it i vlerëson veprimet e shpejta që ndërmorën autoritetet e Kosovës

Shefi i EULEX-it, Giovanni Pietro Barbano, ka vizituar sot vendin ku ndodhi sulmi terrorist në kanalin e Ibër-Lepencit në Zubin Potok, më 29.11.2024

Duke e quajtur këtë sulm si të papranueshëm, ai vlerësoi veprimet e autoriteteve të Kosovës pas këtij akti.

“Unë vlerësoj veprimet e shpejta të ndërmarra nga autoritetet e Kosovës për të menaxhuar në mënyrë efektive dëmin dhe për t’iu përgjigjur emergjencës, duke parandaluar kështu pasoja të mëtejshme për popullatën” – tha shefi i EULEX-it.

Madje, ai shtoi se në përputhje me mandatin që kanë, në koordinim të ngushtë me Policinë e Kosovës dhe me pjesëtarët e KFOR-it, monitoruesit e EULEX-it dhe Njësia e Formuar Policore kanë qenë menjëherë të pranishëm në terren për të vlerësuar situatën dhe pasojat e saj të mundshme.

Po ashtu, ai theksoi se institucionet e Kosovës kanë juridiksion të plotë për të hetuar sulmin, ndërsa EULEX-i vazhdon të monitorojë veprimet e tyre për të siguruar që përgjegjësit të sillen para drejtësisë dhe se të drejtat e njeriut po respektohen plotësisht.

17:13 – Policia thërret konferencë të jashtëzakonshme për media pas sulmit në Zubin Potok

Një konferencë e jashtëzakonshme për media është thirrur nga Policia e Kosovës pas sulmit të mbrëmshëm (29.11.2024) në kanalin e ujit të Ibër Lepencit.

“Kjo konferencë i dedikohet zhvillimeve në veri të vendit, pas sulmit terrorist të ndodhur ndaj infrastrukturës kritike, gjegjësisht dëmtimit të kanalit të ujit të Ibër Lepencit”- tha Policia.

Tutje u shtua se konferenca do të mbahet nga 17:30 në Qendrën e Njësive Speciale “Enver Zymeri” nga ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla dhe Drejtori i Përgjithshëm i Policisë, Gazmend Hoxha.

Një shpërthim ka ndodhur më 29.11.2024 në kanalin e ujit të Ibër Lepencit në fshatin Vrragë të komunës së Zubin Potokut.

Qeveria e Kosovës thotë se ky sulm është dirigjuar e orkestruar nga Serbia e i kryer nga profesionistë.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka konfirmuar se tashmë janë bërë arrestimet e para në lidhje me këtë rast. Këtë sulm e kanë dënuar edhe nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe nga Bashkimi Europian.

Përfaqësuesi i Lartë i Bashkimit Europian, Joseph Borrel e ka quajtur sulm terrorist shpërthimin në kanalin ujor të Ibër Lepencit në Varagë të Zubin Potokut.

Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, ka njoftuar më 30.11.2024 se pavarësisht dëmtimit që shpërthimi shkaktoi në kanalin e Ibër Lepencit, kanë arritur të sigurojnë energji elektrike për vendin përmes vendosjes së gjashtë gypave të përkohshëm, me kapacitet të mjaftueshëm për të siguruar ujë për ftohjen e termocentralit “Kosova B”.

Për këtë çështje, Këshilli i Sigurisë së Kosovës ka mbajtur mbledhje të jashtëzakonshme në orën 1:30 të mëngjesit të sotëm (30.11.2024), ku ka diskutuar për këtë shpërthim. Në mbledhje, sipas një komunikate për media, u fol për ndërlidhjen e mundshme të rastit të djeshëm, me një sulm të ngjashëm rus në Ukrainë javën e kaluar.

Në këtë mbledhje janë diskutuar edhe masat emergjente që janë marrë dhe po merren për të zbutur pasojat e sulmit dhe për të garantuar sigurinë e infrastrukturës kritike në vend.

Ndërkohë, ekipe të Misionit Paqeruajtës të NATO-s në Kosovë, KFOR, kanë dalë më 30.11.2024 në vendin e ngjarjes ku ka ndodhur shpërthimi. Të gjitha lajmet rreth situatës pas shpërthimit në kanalin e ujit të Ibër-Lepencit mund t’i lexoni në artikullin e mëposhtëm.

Këshilli i Sigurisë mban mbledhje emergjente – Çka ndodhi mbrëmë në Zubin Potok?