Sulmi terrorist ndaj kanalit të ujit të Ibër-Lepencit, ministri i Jashtëm i Serbisë u takua me ambasadorët e QUINT-it
Ministri i Punëve i Serbisë, Marko Gjuriq, ka mbajtur një takim me ambasadorët e QUINT-it, në të cilin është folur lidhur me sulmin terrorist që është kryer mbrëmë, më 29.11.2024, në kanalin e ujit të Ibër-Lepencit, në veri të Kosovës.
Sipas një njoftimi në faqen zyrtare të Ministrisë së Jashtme serbe, Gjuriq ka thënë në takim se Serbia është e gatshme t’i ndihmojë autoritetet lokale dhe Prishtinën duke furnizuar me energji elektrike deri në riparimin e dëmit në kanalin e Ibër-Lepencit dhe është e gatshme të ndihmojë në çdo mënyrë në riparimin e dëmeve.
Tutje, sipas njoftimit, Gjuriq ka theksuar se “bëhet fjalë qartë për sabotim” dhe se “Serbia pa mëdyshje e dënon një akt të tillë, i cili është i drejtuar kundër stabilitetit të rajonit dhe interesave të të gjitha komuniteteve lokale”.
“Shefi i diplomacisë serbe tha se akuzat e bëra nga Prishtina ndaj Serbisë me këtë rast janë të pabaza, nuk mbështeten me asgjë e synojnë ta diskreditojnë Beogradin në një moment të ndjeshëm dhe të keqpërdorin situatën për qëllime politike, e ta instrumentalizojnë atë në fushata zgjedhore në Kosovë” – thuhet në njoftim.
Gjuriq citohet të ketë thënë se Serbia kërkon përcaktimin e motivit të sulmit në këtë objekt jetik infrastrukturor dhe është e gatshme të bashkëpunojë me prezencën ndërkombëtare në Kosovë për të ndriçuar të gjitha rrethanat dhe përfundimisht për të gjetur dhe nxjerrë përgjegjësit para drejtësisë.
“Ministri Gjuriq theksoi se është e rëndësishme që ndërkohë, para se hetimi të japë disa përgjigje konkrete, të gjithë të përmbahen nga akuzat e pabaza dhe drejtimi arbitrar i gishtit ndaj kujtdo” – theksohet tutje në njoftim.
Në takim morën pjesë përfaqësues të Francës, Italisë, Britanisë së Madhe, Gjermanisë, SHBA-së dhe delegacionit të Bashkimit Europian në Serbi.
Një shpërthim ka ndodhur më 29.11.2024 në kanalin e ujit të Ibër-Lepencit në fshatin Varagë të komunës së Zubin Potokut.
Qeveria e Kosovës thotë se ky sulm është dirigjuar e orkestruar nga Serbia e i kryer nga profesionistë.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka konfirmuar se tashmë janë bërë arrestimet e para në lidhje me këtë rast.
Këtë sulm e kanë dënuar edhe nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe nga Bashkimi Europian.
Përfaqësuesi i Lartë i Bashkimit Europian, Josep Borrell, e ka quajtur sulm terrorist shpërthimin në kanalin e ujit të Ibër-Lepencit në Varagë të Zubin Potokut.
Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, ka njoftuar më 30.11.2024 se pavarësisht dëmtimit që shpërthimi shkaktoi në kanalin e Ibër-Lepencit, kanë arritur të sigurojnë energji elektrike për vendin përmes vendosjes së gjashtë gypave të përkohshëm, me kapacitet të mjaftueshëm për të siguruar ujë për ftohjen e termocentralit “Kosova B”.
Për këtë çështje, Këshilli i Sigurisë së Kosovës ka mbajtur mbledhje të jashtëzakonshme në orën 01:30 të mëngjesit të sotëm (30.11.2024). Në mbledhje, sipas një komunikate për media, u fol për ndërlidhjen e mundshme të rastit të djeshëm me një sulm të ngjashëm rus në Ukrainë javën e kaluar.
Në këtë mbledhje janë diskutuar edhe masat emergjente që janë marrë dhe po merren për të zbutur pasojat e sulmit dhe për të garantuar sigurinë e infrastrukturës kritike në vend.
Ndërkohë, ekipe të Misionit Paqeruajtës të NATO-s në Kosovë, KFOR, kanë dalë më 30.11.2024 në vendin e ngjarjes ku ka ndodhur shpërthimi. Të gjitha lajmet rreth situatës pas shpërthimit në kanalin e ujit të Ibër-Lepencit mund t’i lexoni në artikullin e mëposhtëm.
Sulmi terrorist në kanalin e Ibër Lepencit – Lajm në Zhvillim
Shënim: Titulli i këtij artikulli është edituar. Koha e editimit: 01.12.2024, ora 14:50.