Ilustrim
Sulmi seksual ndaj të miturës në Kamenicë, polici dënohet me 6 vjet burg
Zyrtari policor R.Sh., i cili ishte arrestuar për sulm seksual ndaj një të miture në prill të këtij viti është dënuar me burg në kohëzgjatje prej 6 viteve.
Dënimi me burg ndaj policit nga ana e Gjykatës Themelore në Gjilan nuk ishte i kënaqshëm për Prokurorinë Themelore të Gjilanit të cilët kanë parashtruar edhe ankesë.
“Lidhur me rastin në fjalë, ju njoftojmë se Prokuroria Themelore në Gjilan, ka pranuar Aktgjykimin e Gjykatës Themelore në Gjilan, ndaj të pandehurit R.SH., me të cilin të njëjtit i është shqiptuar dënim me burg në kohëzgjatje prej gjashtë (6) viteve”, ka thënë Prokuroria në Gjilan për KALLXO.com.
Tutje të njëjtit kanë potencuar se vepra për të cilën është akuzuar polici R. Sh., në minimum është e dënueshme me burg prej 15 vitesh.
Në prill të këtij viti, një zyrtar policor i Njësisë së Trafikut në Rajonin e Gjilanit ishte arrestuar nga Inspektorati Policor i Kosovës nën dyshimin për sulm seksual ndaj një të miture e cila konsiderohej se ka edhe zhvillim të vonshëm mendor.
Në atë kohë KALLXO.com pati përcjellë të gjithë aksionin e arrestimit të policit ndërsa ishin treguar edhe detaje të hetimit, duke mbrojtur të dhënat personale të së miturës.
Në fund të vitit të kaluar Prokuroria në Gjilan kishin pranuar një informacion nga një zyrtare komunale në lidhje me ngjarjen.
Menjëherë pas marrjes së informacionit Prokuroria në Gjilan kishin njoftuar edhe IPK-në ndërsa këta të fundit kishin filluar procedurat hetimore ndaj policit.
Me kërkesë të prokurorisë dhe leje të Gjykatës në Gjilan janë kryer edhe masat e fshehta ndaj policit ku edhe u dëshmua vepra për të cilën dyshohej polici.