Sulmi rus lë të vdekur mbi 40 kadetë të ushtrisë ukrainase
Një sulm ajror rus në një objekt të akademisë ushtarake në Ukrainën qendrore ka lënë së paku 41 të vrarë dhe më shumë se 180 të tjerë të plagosur, ka bërë të ditur presidenti Volodymyr Zelensky, në njërin prej sulmeve më vdekjeprurëse prej fillimit të agresionit të madh rus kundër Ukrainës në shkurtin e vitit 2022, ka raportuar televizioni amerikan CNN.
Zelensky ka thënë se informacionet e para tregojnë se ndërtesa u sulmua me dy raketa balistike në qytetin Potlava. Pos ndërtesës së ushtrisë është qëlluar edhe një spital në afërsi mëngjesin e së martës (03.09.2024).
“Ne u themi përsëri e përsëri të gjithëve në botë që kanë pushtet që të ndalin këtë terror: sistemet e mbrojtjes ajrore dhe raketat janë të nevojshme në Ukrainë, jo diku në ndonjë depo”, ka thënë Zelensky në një komunikatë.
Duke folur për sulmin, Zelensky ka përsëritur thirrjen e tij aleatëve perëndimorë të Ukrainës që ta furnizojnë Kievin me më shumë mbrojtje ajrore dhe t’i heqin kufizimet ndaj vendit të tij për përdorimin e armëve perëndimore për ta sulmuar Rusinë brenda territorit të saj.
“Sulmer me rreze të gjata veprimi që mund të ofrojnë mbrojtje kundër terrorit rus janë të nevojshme tani, e jo më vonë. Çdo ditë vonese, fatkeqësisht shkakton vdekje njerëzish”, ka shtuar ai.
Duke folur për gazetaren Chrstiane Amanpour të CNN-it, ministri i Jashtëm ukrainas, Dmytro Kuleba, ka thënë se raketa mbërriti cakun në një periudhë të shkurtë kohore. Njerëzit janë qëlluar derisa po mundoheshin të shkonin në strehimore.
“Mënyra e vetme për të neutralizuar ato është që të kemi sistemin Patriot ose sistemin e mbrojtjes ajrore SAMP/T, sepse vetëm ato janë në gjendje të neutralizojnë raketat balistike”, ka deklaruar Kuleba.
Përgatiti: Rexhep Maloku – Kallxo.com