Shefi i EULEX, Giovanni Pietro Barbano tek kanalin e Ibër-Lepencit në Zubin Potok. Foto: Giovanni Pietro Barbano/X
Sulmi në Zubin Potok, shefi i EULEX-it i vlerëson veprimet e shpejta që ndërmorën autoritetet e Kosovës
Shefi i EULEX-it, Giovanni Pietro Barbano, ka vizituar sot vendin ku ndodhi sulmi terrorist në kanalin e Ibër-Lepencit në Zubin Potok, më 29.11.2024
Duke e quajtur këtë sulm si të papranueshëm, ai vlerësoi veprimet e autoriteteve të Kosovës pas këtij akti.
“Unë vlerësoj veprimet e shpejta të ndërmarra nga autoritetet e Kosovës për të menaxhuar në mënyrë efektive dëmin dhe për t’iu përgjigjur emergjencës, duke parandaluar kështu pasoja të mëtejshme për popullatën” – tha shefi i EULEX-it.
Madje, ai shtoi se në përputhje me mandatin që kanë, në koordinim të ngushtë me Policinë e Kosovës dhe me pjesëtarët e KFOR-it, monitoruesit e EULEX-it dhe Njësia e Formuar Policore kanë qenë menjëherë të pranishëm në terren për të vlerësuar situatën dhe pasojat e saj të mundshme.
Po ashtu, ai theksoi se institucionet e Kosovës kanë juridiksion të plotë për të hetuar sulmin, ndërsa EULEX-i vazhdon të monitorojë veprimet e tyre për të siguruar që përgjegjësit të sillen para drejtësisë dhe se të drejtat e njeriut po respektohen plotësisht.
I’m on the site of yesterday’s unacceptable attack on the Iber Lepenc/Ibar Lepenac canal – a critical part of Kosovo’s infrastructure – in the village of Varage.1/4 pic.twitter.com/GgWcGsAwH5
— Giovanni Pietro Barbano (@EulexHoM) November 30, 2024
Një shpërthim ka ndodhur më 29.11.2024 në kanalin e ujit të Ibër-Lepencit në fshatin Varagë të komunës së Zubin Potokut.
Qeveria e Kosovës thotë se ky sulm është dirigjuar e orkestruar nga Serbia e i kryer nga profesionistë. Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka konfirmuar se tashmë janë bërë arrestimet e para në lidhje me këtë rast. Këtë sulm e kanë dënuar edhe nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe nga Bashkimi Europian.
Përfaqësuesi i Lartë i Bashkimit Europian, Joseph Borrel e ka quajtur sulm terrorist shpërthimin në kanalin ujor të Ibër Lepencit në Varagë të Zubin Potokut.
Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, ka njoftuar më 30.11.2024 se pavarësisht dëmtimit që shpërthimi shkaktoi në kanalin e Ibër-Lepencit, kanë arritur të sigurojnë energji elektrike për vendin përmes vendosjes së gjashtë gypave të përkohshëm, me kapacitet të mjaftueshëm për të siguruar ujë për ftohjen e termocentralit “Kosova B”.
Për këtë çështje, Këshilli i Sigurisë së Kosovës ka mbajtur mbledhje të jashtëzakonshme në orën 1:30 të mëngjesit të sotëm (30.11.2024), ku ka diskutuar për këtë shpërthim. Në mbledhje, sipas një komunikate për media, u fol për ndërlidhjen e mundshme të rastit të djeshëm, me një sulm të ngjashëm rus në Ukrainë javën e kaluar.
Në këtë mbledhje janë diskutuar edhe masat emergjente që janë marrë dhe po merren për të zbutur pasojat e sulmit dhe për të garantuar sigurinë e infrastrukturës kritike në vend.
Ndërkohë, ekipe të Misionit Paqeruajtës të NATO-s në Kosovë, KFOR, kanë dalë më 30.11.2024 në vendin e ngjarjes ku ka ndodhur shpërthimi.