Foto-ilustrim

Sulmi në Vjenë, ka edhe të vrarë

Ministri i Brendshëm austriak, Karl Nehammer ka thënë se një numër personash janë plagosur dhe disa “besohet se kanë vdekur”, në atë që autoritetet po e konsiderojnë “sulm terrorist” në qendër të Vjenës.

Ekipet e emergjencës në Vjenë kanë raportuar se disa persona janë vrarë, ka raportuar agjencia austriake e lajmeve APA, më 2 nëntor, duke shtuar se një zyrtar është në mesin e të vdekurve.

Policia e Vjenës ka thënë se thënë se kanë qenë “disa të dyshuar të armatosur me pushkë” në “gjashtë lokacione të ndryshme”.

“Ka pasur të shtëna me armë zjarri në qendër – ka persona të plagosur – rrini larg vendeve publike dhe transportit publik”, ka thënë policia.

Policia ka raportuar për një person të vdekur dhe disa të plagosur, si dhe “një të dyshuar, të qëlluar dhe të vrarë nga zyrtarët policorë”.

Ministri i Brendshëm, Karl Nehammer, ka thënë se sulmi i së hënës besohet se është terrorist.

“Në këtë moment mund të konfirmoj se besojmë që duket se kemi një sulm terrorist”, ka thënë ai.

Policia e Vjenës u ka bërë thirrje njerëzve që të mos shpërndajnë video dhe fotografi nëpër rrjetet sociale.

“Kjo gjë rrezikon forcat policore si dhe popullsinë civile”, ka thënë ajo përmes një postimi në Twitter.

Oskar Deutsch, i cili është në krye në komunitetit të hebrenjve në Vjenë, ka thënë se të shtënat kanë ndodhur në rrugën ku gjendet sinagoga kryesore e qytetit, mirëpo ende nuk është e qartë nëse ky institucion ka qenë shënjestër, transmeton agjencia e lajmeve, AP.

Sinagoga veçse ka qenë e mbyllur në kohën e shtënave, ka thënë Deutsch.

Agjencia austriake e lajmeve, APA, ka cituar Ministrinë e Brendshme të ketë thënë se një sulmues është vrarë, derisa tjetri është në arrati.

Mirëpo një zëdhënës i Ministrisë ka thënë se të paktën një i dyshuar është dërguar në mbajtje pas incidentit.

Një zyrtar policor është plagosur seriozisht, ka thënë ky zëdhënës sipas agjencisë së lajmeve APA.

Policia ka thënë se operacioni në qendër të qytetit është duke vazhduar dhe se ende nuk dihen shkaqet e sakta të incidentit.

Ambasada e Kosovës në Vjenë ka lutur qytetarët që jetojnë atje që të qëndrojnë në vende të sigurta./REL