Kanali i Ibër-Lepencit, Foto: Hysen Durmishi/Facebook

Sulmi në kanalin e Ibër-Lepencit - Durmishi njofton se është lëshuar uji pas sanimit

Zëvendësministri i Infrastrukturës, Hysen Durmishi ka njoftuar se është lëshuar uji në kanalin e Ibër-Lepencit, pas sulmit terrorist që është bërë aty në fund të nëntorit 2024.

“Jam i gëzuar dhe falënderues për të gjithë ata që kontribuan drejtpërdrejt që Kanali të sanohet dhe për asnjë moment qytetarët të mos mbesin pa rrymë e ujë.” – shkroi Durmishi në Facebook, më 14.01.2025.

Durmishi ka publikuar disa fotografi nga ky Kanal.

Shpërthimi që ndodhi më 29.11.2024 në kanalin e ujit të Ibër-Lepencit, në fshatin Varagë të Komunës së Zubin Potokut ishte cilësuar nga Qeveria e Kosovës si “sulm terrorist”.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti kishte thënë se sulmi është kryer nga grupe terroriste.

“Unë nuk i kam emrat e atyre që e kanë vënë detonimin. Por, unë e di një gjë, se elemente të tilla kriminale, qofshin edhe zyrtarisht anëtarë të Mbrojtjes Civile, Brigadës Civile, ata e kanë mbështetjen dhe dirigjimin nga Beogradi zyrtar.” – kishte thënë Kurti.

Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, e ka mohuar që Serbia ka lidhje me sulmin në kanalin e Ibër-Lepencit në Komunën e Zubin Potokut.

Për sulmin në kanalin e Ibër-Lepencit, drejtori i përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Gazmend Hoxha ka thënë se është përdorur një sasi e konsiderueshme e eksplozivit, nga 15 deri në 20 kilogramë, i cili dyshohet se është aktivizuar me detonatorë mekanikë – përmes fitilit ndezës me djegie të ngadalshme.

“Si pasojë e këtij sulmi janë shkaktuar dëme të mëdha materiale në kanalin e Ibër-Lepencit, si pasojë e të cilave është ndërprerë furnizimi me ujë të pijshëm për shumë zona dhe lokalitete, si dhe duke rrezikuar tej mase edhe furnizimin me energji elektrike apo edhe rrezikun me pasoja më të rënda për avari në Sistemin energjetik të Republikës së Kosovës.” – ishte shprehur Hoxha.

Pas shpërthimit, Këshilli i Sigurisë së Kosovës ka mbajtur mbledhje të jashtëzakonshme më 30.11.2024.

Në mbledhje, sipas një komunikate për media, u fol për ndërlidhjen e mundshme të rastit të djeshëm me një sulm të ngjashëm rus në Ukrainë javën e kaluar. Në këtë mbledhje janë diskutuar edhe masat emergjente që janë marrë dhe po merren për të zbutur pasojat e sulmit, e për të garantuar sigurinë e infrastrukturës kritike në vend.

Ndërkohë, ekipe të Misionit Paqeruajtës të NATO-s në Kosovë – KFOR, kanë dalë më 30.11.2024 në vendin e ngjarjes ku ka ndodhur shpërthimi.

Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli njoftoi më 30.11.2024 se pavarësisht dëmtimit që shpërthimi shkaktoi në kanalin e Ibër-Lepencit, kanë arritur që të sigurojnë energji elektrike për vendin përmes vendosjes së gjashtë gypave të përkohshëm, me kapacitet të mjaftueshëm për të siguruar ujë për ftohjen e termocentralit “Kosova B”.

Këtë sulm e kanë dënuar Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Europian. Edhe ambasadori i Gjermanisë në Kosovës, Jorn Rohde e ka dënuar, po ashtu, shpërthimin në Zubin Potok.

Më 09.12.2024, KALLXO.com ka raportuar se një ‘bypass’ është vendosur si zgjidhje alternative, për të liruar kanalin e Ibër-Lepencit nga qarkullimi i ujit. E, më pas u bë edhe vlerësimi i dëmit e rregullimi i tij.

Arrestimet në lidhje me sulmin në Ibër-Lepenc

Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës ka kryer disa kontrolle në lokacione të ndryshme, gjatë së cilave janë gjetur dhe sekuestruar armë të ndryshme e pajisje tjera, lidhur me rastin e ndodhur më 29.11.2024 në fshatin Varagë të Komunës së Zubin Potokut, respektivisht në pjesën e kanalit të Ibër-Lepencit.

“Me këtë rast në Stacionin Policor janë shoqëruar 10 persona të dyshuar për veprat penale: “rrezikimi i rendit kushtetues me shkatërrimin apo dëmtimin e instalimeve dhe pajisjeve publike” nga Neni 122; lidhur me veprën penale “kryerja e veprës terroriste” nga Neni 129 Par. 1 dhe Neni 128 Par. 1 Nënpar. 1.8 të KPRK-së; “mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve” nga Neni 366 Par. 2 lidhur me Par. 1  të KPRK-së.” – thuhet në komunikatën e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës.

Prokuroria Speciale ka thënë se dy të shoqëruarve iu është caktuar masa e ndalimit.

“Me vendim të Prokurorit, dy prej tyre, me inicialet D. V. dhe D. M., nga komuniteti serb, janë ndaluar. Për personin D. V. është parashtruar kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit, e cila është caktuar nga Gjykata për 1 (një) muaj, kurse i dyshuari D. M. nga Prokuroria është liruar në procedurë të rregullt.” – thuhet në komunikatën e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës.

Gjykata e Prishtinës ka caktuar masën e paraburgimit prej një muaji ndaj Dragisha Viqentijeviqit, i arrestuar nën dyshimin se ka marrë pjesë në sulmin terrorist. Caktimin e masës së paraburgimit e ka konfirmuar mbrojtësi i të pandehurit, avokati Millosh Delloviq, i cili ka thënë se klienti i tij nuk e ka pranuar fajësinë.

Sipas Prokurorisë, me veprimet e tij Viqentijeviq po dyshohet se kreu veprën penale të rrezikimit të rendit kushtetues me shkatërrimin apo dëmtimin e instalimeve dhe pajisjeve publike. Gjatë bastisjes, në shtëpinë e tij, u gjetën edhe armë e municion – për çka Prokuroria po e ndjek edhe për “armëmbajtje pa leje”.

Ndërkaq, më 02.12.2024, Policia e Kosovës bëri të ditur se më 01.02.2024 ka arrestuar edhe një person të dyshuar për sulmin në kanalin e Ibër-Lepencit.

Sipas Policisë, i arrestuar është personi me inicialet J. V., nën dyshimin se mund të ketë pasur rol të rëndësishëm në kuadër të grupit përgjegjës për rastin e sulmit terrorist në kanalin e Ibër-Lepencit.

“Në vazhdimësi të hetimeve lidhur me rastin e sulmit terrorist ndaj infrastrukturës kritike, por edhe rasteve paraprake, nga njësitë relevante hetimore, në bashkëpunim edhe me njësitë e tjera policore, më 01.12.2024 në orët e mbrëmjes, është arrestuar edhe një i dyshuar J. V., nën dyshimin që mund të ketë patur rol të rëndësishëm në kuadër të grupit përgjegjës për rastin e sulmit terrorist ndaj infrastrukturës kritike.” – thuhet në njoftimin e Policisë së Kosovës.

Po ashtu, Policia ka bërë të ditur se në bashkëpunim me Prokurorinë Speciale të Kosovës është kontrolluar shtëpia e të dyshuarit J.V., në të cilën janë gjetur e sekuestruar si dëshmi: katër (4) granate dore, një (1) pushkë gjuetie, mbi pesëqind (500) copë municion të kalibrave të ndryshëm, dy (2) karikatorë të armës AK-47, një (1) karikator i pushkës së gjatë, një (1) radiolidhje, një (1) palë dylbi, një (1) kamerë kamufluese; uniforma ushtarake dhe dokumente të ndryshme.