Televizioni Top Channel në Shqipëri

Sulmi ndaj Top Channel, makina me të cilën u krye vrasja i ishte vjedhur një kosovari

Policia e Shtetit ka bërë të ditur se makina me të cilën u qëllua me armë ndaj objektit së Top Channel në mëngjesin e së hënës rezulton se i ishte vjedhur një shtetasi të Kosovës që kishte qenë me pushime në zonën e Lezhës.

“Automjeti i përdorur nga autorët është i tipit “Range Rover Sport”, me ngjyrë kafe, i cili ka rezultuar i vjedhur më datë 10.07.2020, në fshatin Tale të Lezhës. Ky automjet i është vjedhur një shtetasi kosovar, i cili ishte me pushime në këtë zonë, ndërsa targat e automjetit “AA 456 HC”, janë kallëzuar të vjedhura më datë 31.12.2022, në qytetin e Tiranës”- thuhet në njoftim.

Më datë 27.03.2023, rreth orës 00:30, shtetas ende të paidentifikuar kanë qëlluar me armë zjarri automatik model AK-47, në drejtim të ndërtesës së Top Channel dhe për pasojë ka mbetur i vrarë Pal Kola, 61 vjeç.

Po nga të shtënat është dëmtuar fasada ballore e godinës së televizionit, si dhe dy automjete të parkuara në oborr.

Sipas njoftimit të Policisë, në bazë të pamjeve nga kamerat e sigurisë, sulmi drejt godinës së televizionit është kryer në orët e para të mëngjesit të hënës, përkatësisht rreth orës 00:30.

“Nga veprimet hetimore të kryera deri tani rezulton se në orën 00:27 të datës 27.03.2023, automjeti i autorëve është fiksuar nga kamerat e sigurisë, në zonën e Kasharit. Ky automjet ka lëvizur në rrugën dytësore të autostradës Durrës-Tiranë, ka dalë përballë godinës së televizionit Top Channel dhe në atë moment autorët kanë qëlluar me armë zjarri në drejtim të godinës së televizionit”- bën të ditur policia.

Tutje, policia potencon se rreth orës 01:00 kanë marr njoftim për djegien e një automjeti në autostradën Durrës-Rrogozhinë.

“Autorët, pasi kanë qëlluar me armë zjarri, janë larguar me shpejtësi përsëri nëpërmjet rrugës që kanë ardhur, për në drejtim të Durrësit, dhe në orën 00:36 janë fiksuar nga kamerat e sigurisë në zonën e Kasharit. Në orën 00:55, shërbimet e Komisariatit të Policisë Kavajë kanë marrë njoftim për djegien e një automjeti, në autostradën Durrës-Rrogozhinë, në vendin e quajtur “Përroi i Agait””- thuhet tutje në njoftim.

Sipas Policisë, në vendin e ngjarjes janë gjetur dhe sekuestruar 25 gëzhoja model 56, 5 predha dhe 9 copëza predhash municioni luftarak. Në vendin e djegies së automjetit është këqyrur dhe sekuestruar automjeti i djegur dhe një gëzhojë model 56, e cila u gjet jashtë automjetit. Brenda automjetit janë gjetur dhe sekuestruar në cilësinë e provës materiale 2 armë zjarri model AK-47, si dhe sende të tjera që lidhen me automjetin, si targa e parë e automjetit, 4 gëzhoja model 56 të plasura si pasojë e djegies etj.

Policia njofon se po analizon të gjitha informacionet që disponon Policia e Shtetit dhe agjenci të tjera ligjzbatuese të cilat do të ndihmojnë grupin hetimor, për kryerjen e këtij hetimi.