Shtëpia e të moshuarve "Orenda" në Pejë, Foto: Facebook
Sulmi ndaj të moshuarës në Pejë, katër infermiere suspendohen nga puna (Dokument)
Katër infermieret, A.P., A.R., R.K. dhe G.N., janë suspenduar nga puna për shkak të përfshirjes në rastin e sulmit ndaj të moshuarës në Qendrën për Përkujdesje ndaj të Moshuarve “Orenda” në Pejë.
Në vendimin që ka siguruar KALLXO.com është thënë se bordi i kësaj qendre ka marrë vendimin për suspendimin nën arsyetimin se A.P. ka kryer veprën ndërsa A.R., R.K. dhe G.N. kanë qenë në ndërrim së bashku me këtë të parën, por nuk e kanë lajmëruar rastin tek përgjegjësi.
Tutje në vendim thuhet se masat e tjera do të merren pas hetimit nga ana e Policisë së Kosovës.
Deri më tani tri infermiere janë arrestuar për rastin që u bë publik sot nga një qytetare që ka shpërndarë në Facebook një video ku shihet se si ka ndodhur rasti.
Prokurori i Pejës, Dorjan Juniku është deklaruar lidhur me këtë rast. Ai nuk ka përjashtuar mundësinë që Prokuroria të zgjerohet edhe tek subjektet e tjera të involvuara në rastin në fjalë.
“Në këtë fazë, ende jemi duke punuar dhe duke marr veprimet e nevojshme, që nuk do të thotë se nuk do të zgjerohemi edhe tek subjektet tjera të mundshme që mund të jenë të involvuar në rast” – është shprehur Juniku.
Ai ka thënë se me të marr informatën, në mënyrë të shpejtë në bashkëpunim me Policinë e Kosovës kanë arritur që të arrestojnë dy të dyshuarat me inicialet A.P. dhe A.R..
“Janë angazhuar dy prokurorë, pas marrjes së autorizimve kemi vazhduar me të gjitha veprimet ligjore” – ka thënë ai.
Juniku u pyet nëse kanë pasur raste të tilla të njëjta që dyshohen të kenë ndodhur në shtëpinë e të moshuarve “Orenda”.
Prokurori ka thënë se deri më tani nuk kanë pas raste të tilla, por nuk ka përjashtuar mundësinë që diçka e tillë të mos ketë ndodhur edhe më herët.
Prokurori Juniku ka urdhëruar që të intervistohen të gjithë punonjësit e qendrës dhe pacientët në mënyrë që të grumbullohen informata te tjera nëse eventualisht ka pasur raste të ngjashme në po të njëjtën qendër.
Prokuroria ka kërkuar gjithashtu që një neuropsikiatër ta kontrollojë viktimën në mënyrë që të vlerësohet nëse e njëjta është në gjendje të flas sot dhe të deklarohet lidhur me rastin qe i ka ndodhur.
Në ditën e sotme në rrjetin social në Facebook është publikuar një video ku shihet një e moshuar duke u sulmuar nga një grua.
E moshuara shihet në video duke tentuar të largohet dhe duke e mbrojtur vetën, përderisa një grua vazhdimisht e godet me shuplaka në fytyrë dhe me këmbë në bark.
“Çka po sillka fort” – dëgjohet njëra nga pjesëmarrëset duke thënë, përderisa tjetra e cila është duke e kryer aktin i kthehet me përgjigje “Pak jam tu ja hi qysh di me të sjellë unë”.
Tutje të moshuarës ajo i drejtohet me “Ti don me u shty me mu a, ti” e me “Që ma ke grithë dorën, pa t’i q* robt nuk kam me lanë”.
Kryetari i Odës së Infermierëve, Naser Rrustemaj, tha për KALLXO.com se nesër nga organet e tyre do të merren masat e nevojshme për këtë rast.
“Organet tona nesër do të merren më këtë çështje, na do të vazhdojmë procedurat për revokim të licencës edhe për masat tjera sa i përket Odës së Infermiereve” – tha Rrustemaj.
Ai shprehu keqardhje për rastin që ka ndodhur dhe tha se ndaj secilit person që ka qenë prezent në këtë ngjarje do të merren masa.
Një reagim për marrje të masave nga ana e Odës së Infermierëve kanë pasur edhe Rrjeti i Grave të Kosovës.
Nga ana e RrGK-së është kërkuar që të dyshuarave t’u hiqet licenca infermiereve dhe të marrin dënimin meritor konform ligjeve.
Edhe nënkryetari i Sindikatës së Punëtorëve Shëndetësor në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, Enlirat Duraku, ka pasur një reagim për këtë ngjarje.
Ai ka kërkuar nga secili infermier e secila infermiere që të distancohet publikisht nga ky rast.
“Kjo që shihet në video nuk e përfaqëson profesionin e infermierit, ndërsa edhe ato të tjerat të cilat qeshnin edhe pse e kishin mundësinë që t’a ndalojnë abuzimin dhe sulmin ndaj qytetares së moshuar në video nuk i bëjnë nderë as vetes së tyre, e as profesionit të infermierit” – ka thënë ai.