Ilustrim

Sulmi ndaj të moshuarës në Pejë, arrestohet e dyshuara e tretë

Një infermiere e cila dyshohet se ka incizuar sulmin ndaj gruas së moshuar në Pejë, është arrestuar.

Lajmin për KALLXO.com e ka konfirmuar prokurori Dorjan Juniku, i cili thotë se deri më tani janë 3 të arrestuara.

Më tej në prononcimin për KALLXO.com, Juniku ka urdhëruar zyrtarët policorë që po e trajtojnë rastin, që të intervistohen të gjithë punonjësit e qendrës dhe pacientët në mënyrë që të grumbullohen informata të tjera nëse eventualisht ka pasur raste të ngjashme në po të njëjtën qendër.

Sot në rrjetin social Facebook është publikuar një video ku shihet një e moshuar duke u sulmuar.

Lidhur me rastin Policia e Kosovës dhe Prokuroria Themelore në Pejë kanë njoftuar se kanë arrestuar dy të dyshuara dhe të njëjtat janë ndaluar për 48 orë.

Sulmi ndaj të moshuarës është thënë se ka ndodhur në një shtëpi të të moshuarve në Pejë.

Për këtë ngjarje, Kryeprokurori i Pejës, ka angazhuar dy prokurorë të shtetit dhe ka autorizuar Policinë që të ndërmerren masat e nevojshme ligjore ndaj personave që kanë kryer këtë vepër penale.

Njëra nga të dyshuarat u tha se dyshohet se ka kryer veprën penale “Sulmi” ndërsa tjetra veprën penale “Ndihma në kryerjen e veprës penale Sulmi”.

“Dy persona të dyshuar me urdhër të Prokurorit të Shtetit janë ndaluar për 48 orë, nën dyshimin se në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale “Sulmi” dhe veprën penale “ndihma në kryerjen e veprës penale Sulmi”” – thuhet në njoftim.

Tutje u tha se nga ana e Prokurorit të Shtetit brenda afatit ligjor do të shqyrtohet mundësia e paraqitjes se kërkesë për caktimin e masës se paraburgimit në gjykatën kompetente dhe gjithashtu lidhur me ketë çështje penale u tha se do ndërmerren të gjitha veprimet e nevojshme hetimore.