(Arkiv) Policë të Kosovës në veri të Mitrovicës - Foto: KALLXO.com

Sulmi ndaj të miturit në Suhodoll, Lista Serbe bën fajtorë shqiptarët dhe Albin Kurtin

Një i mitur i komunitetit serb është sulmuar fizikisht sot në mëngjes nga persona të panjohur.

Rasti ka ndodhur në fshatin Suhodoll të Mitrovicës.

Policia e Kosovës ka njoftuar se hetuesit policorë janë duke ndërmarrë të gjitha veprimet hetimore për identifikimin dhe arrestimin e të dyshuarve.

Në lidhje me këtë rast ka reaguar Lista Serbe.

“Pas tentativës për vrasje të Stefanit dhe Milloshit në Shtërpcë dhe rrahjes së Stefan Tomiqit në Kllokot, pesëmbëdhjetë vjeçari L.M është fëmija i katërt serb që sulmohet nga ekstremistët shqiptarë në vetëm pak javë” – thekson Lista Serbe sipas portalit gracanicaonline.

Lista Serbe pretendon se sulmi është kryer nga “një grup shqiptarësh” dhe se “është vazhdim i planit të tmerrshëm të Albin Kurtit për të frikësuar dhe dëbuar serbët nga Kosova”.

Tutje, në reagim, Lista Serbe vlerëson se “regjimi diktatorial i Albin Kurtit me veprimet dhe deklaratat e tij politike promovon dhe inkurajon dhunën si mënyrë për zgjidhjen e problemeve politike”, dhe se gjëja më e rrezikshme është “heshtja e përfaqësuesve ndërkombëtarë”.