Sulmi ndaj Policisë dhe Doganës në Jarinjë po hetohet nga Prokuroria në Mitrovicë - FOTO nga vendi i ngjarjes

Një plumb i një armë të kalibrit të rëndë, i cili fillimisht dyshohej se ishte snajper ka depërtuar në kontejnerin e pikës kufitare në Jarinjë, saktësisht kontejnerin e vijës së dytë të kontrollit në të cilën punojnë policë e doganierë të Republikës së Kosovës.

Ajo pikë e kontrollit gjendet në territor të Serbisë, por deri më tani shënimet e vendit të ngjarjes janë dërguar në Prokurorinë Themelore të Mitrovicës.

KALLXO.com ka arritur që të sigurojë fotografi të kontejnerit i cili është sulmuar me predhë të fishekut në të cilën shihet me saktësi dëmi i shkaktuar.

Fotografi nga vendi i ngjarjes në Jarinje, FOTO: KALLXO.com
Fotografi nga vendi i ngjarjes në Jarinje, FOTO: KALLXO.com
Plumbi i cili ka depërtuar brenda kontenjerit të Policisë dhe Doganës në Jarinje, FOTO:KALLXO.com

Policia e Kosovës mbrëmë ka njoftuar se në këtë rast nuk është raportuar për asnjë zyrtar policor apo doganier të lënduar nga plumbi i armës së zjarrit.

Siç mund të shihet në fotografi, plumbi ka depërtuar brenda kabinës, mes një tavoline që gjendej në kontejner.

Në lidhje me hetimin e këtij rasti KALLXO.com ka kontaktuar edhe me zëvendësdrejtorin e Policisë në Mitrovicën e veriut, Besim Hoti, i cili tregoi se rasti është në prokurori tashmë.

“Ne i mbledhim krejt shënimet, krejt vend-shikimin që e kemi bërë i dërgohen prokurorit e më pas prokurori vendos për çështje e kompetencës territoriale. Prokuroria është e Mitrovicës, e për procedurat tjera vendos prokurori. A ka ndodh në territorin e Serbisë apo e marrim na me e hetu kjo është çështje e prokurorit, ai vendos për kompetencën territoriale”, tha ai kur u pyet në lidhje me ngjarjen e cila kishte ndodhur në Jarinjë.

KALLXO.com ka kontaktuar edhe me kryeprokurorin e Prokurorisë Themelore në Mitrovicë, Ismet Ujkani.

Ai tregoi se është njoftuar prokurori kujdestar në Mitrovicë, ndërsa shtoi se i njëjti nuk ka qenë në vendin e ngjarjes.

“Është njoftuar prokurori kujdestar, mirëpo a ka mbërri me raportu këtu nuk jam i informuar deri më tash, është kontaktuar prokurori mbrëmë. Dyshimet janë për gjuajtje me armë siç e dini. Prokurori është i Krimeve të Rënda, është shqiptar, sepse rasti bjen në krime të rënda sepse është përdorur arma”, tha kryeprokurori Ujkani.

KALLXO.com gjatë ditës së djeshme raportoi se si dy portale në Kosovë nuk kishin raportuar drejtë në lidhje me rastin në Jarinjë, pasi që të njëjtët kishin shkruar se sulmi ishte bërë me granatë.

Sulmohet me armë policia dhe dogana në Jarinjë