Sulmi ndaj pjesëtarëve të KFOR-it në 2023 në Zveçan, Aktakuzë ndaj një personi nga Prokuroria Speciale
Prokuroria Speciale ka ngritur një aktakuzë ndaj D. D. lidhur me rastin e protestave në Zveçan ku ishin sulmuar ushtarët e KFOR më 29.05.2023 dhe kishin mbetur të lënduar rreth 30 ushtarë të misionit paqeruajtës.
Sipas Prokurorisë aktakuza është ngritur për veprën penale pjesëmarrja në turmë që kryejnë vepra penale dhe huliganizëm dhe sulm ndaj personit zyrtar.
“Pas zhvillimit të hetimeve disa mujore, Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, ka ngritur sot aktakuzë në Gjykatën Themelore në Prishtinë – Departamentin Special, kundër të pandehurit D. D., për shkak të kryerjes së veprave penale “Sulmi ndaj personit zyrtar” nga neni 402 par. 4 lidhur me par 2 dhe nenin 31 të KPRK-s, si dhe për veprën penale “Pjesëmarrja në turmë që kryen vepre penale dhe huliganizëm” nga neni 404 par 1 lidhur me nenin 31 të KPRK-ë”.
Sipas aktakuzës i pandehuri më 29.05.2023, afër objektit të Komunës së Zveçanit, në bashkëveprim dhe koordinim edhe me të pandehurit të tjerë të nacionalitetit serb nga Kosova dhe Serbia, përmes përdorimit të dhunës, armëve dhe mjeteve tjera të forta, i kanë sulmuar dhe seriozisht i kanë kanosur ushtarët e misionit paqeruajtës të KFOR-it, dhe pjesëtarë të Policisë së Kosovës, duke u shkaktuar lëndime trupore dhe dëme materiale”- thuhet në njoftimin e Prokurorisë Speciale.
Pamjet nga kjo ngjarje ku kishin mbetur të lënduar një numër i konsideruar i ushtarëve të KFORIT (ARKIV).
93 pjesëtarë të misionit të NATO-s në Kosovë, KFOR, u sulmuan në Zveçan gjatë protestave të qytetarëve serbë, të cilët nuk pranonin që kryetarët shqiptarë të komunave të vendoseshin në objektet komunale më 29.05.2023.
Protestuesit serbë në Zveçan gjatë protestave të dhunshme lënduan 93 pjesëtarë të misionit paqeruajtës, e disa prej tyre mbetën edhe me lëndime të rënda.