Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Sulmi me thikë në Gjakovë, nga QKUK tregojnë gjendjen shëndetësore të viktimës

Personi i therur me thikë në Gjakovë është në gjendje stabile dhe jashtë rrezikut për jetë. Këtë e ka konfirmuar për KALLXO.com mjeku kujdestar në Emergjencë të Qendrës Klinike Universitare të Kosovës (QKUK), Agron Çitaku.

“Pacienti është trajtuar, është në trajtim mëtutjeshëm në Kirurgji torakale. Stabil është, për jetë nuk është në rrezik” – ka thënë Çitaku më 01.02.2025.

KALLXO.com raportoi se një person është sulmuar me mjet të mprehtë në rrugën “Yll Morina” në Gjakovë.

Viktima është dërguar fillimisht për trajtim në Spitalin e Gjakovës. Mjeku kujdestar në Emergjencë të Spitalit në Gjakovë, Jeton Vorfi, e ka konfirmuar për KALLXO.com se viktima është therur me thikë në disa vende dhe menjëherë është dërguar për trajtim në QKUK.

“Ka pas therrje me thikë në disa vende të trupit, ndër to edhe pjesën e gjoksit. Jemi detyru me çu në Kirurgji torakale në Qendër Klinike Universitare për trajtim të mëtutjeshëm. Është atje, menjëherë e kemi dërgu prej këtu” – ka treguar Vorfi për KALLXO.com.

Sipas zëdhënësit të Policisë për Rajonin e Gjakovës, Sheremet Elezaj, ngjarja ka ndodhur më 01.02.2025, rreth orës 10:25. Ai tregoi që viktima u dërgua për trajtim mjekësor ndërsa i dyshuari është arrestuar.

Elezaj ka thënë se të dy të përfshirët në këtë rast janë të moshës madhore.

“Policia menjëherë ka ndërmarrë veprimet e nevojshme hetimore, me ç’rast edhe është arrestuar një i dyshuar. Me vendim të prokurorit të shtetit i njëjti është ndalur në mbajtje” – ka thënë Elezaj më 01.02.2025.

Rasti është inicuar si “vrasje në tentativë”.