Paris, Francë Foto: Pixabay

Sulmi me armë në Paris, nxit përplasje mes forcave të policisë dhe protestuese

Një sulm me armë zjarri në një qendër social-kulturore kurde në Paris, si pasojë e së cilës u vranë tre persona dhe u plagosën tre të tjerë, u shoqërua nga përplasje mes forcave të policisë dhe një grupi protestuesish, shumë pranë vendit ku ndodhi ngjarja.

Anëtarët e komunitetit kurd që u mblodhën për të shprehur zemërimin e tyre mbi ngjarjen, qëlluan me gurë e sende të forta policinë. Forcat e rendit hodhën gaz lotsjellës në një përpjekje për të shpërndarë prostestuesit e irrituar. Përplasja nisi pasi në vendngjarje mbërriti ministri francez i Mbrojtjes, Gerald Darmanin i cili tha se do të shtohen measat e sigurisë në zonat ku është vendosur komuniteti kurd. Protestuesit thanë se ndihen të pasigurt. Ata lëshuan thirrje kundër qeverisë turke.

Prokurorja e Parisit Laure Beccuau, tha se autori i dyshuar i sulmit njihej nga strukturat e zbatimit të ligjit. Gjashtëdhjetë e nëntë vjeçari është arrestuar dhe ndodhet tashmë në paraburgim. Krahas qendrës social-kulturore kurde incidenti përfshiu edhe një restorant përballë saj e një parukeri.

Autoritetet njoftuan se kanë nisur hetimet mbi ngjarjet dhe se po shqyrtojnë çdo element të mundshëm racist të lidhur me të.

Sipas televizionit lokal BFM mendohet se autori i dyshuar për ngjarjen e sotme, kishte sulmuar një vit më parë një kamp imigrantësh.

Një dëshmitar i tha agjencisë franceze të lajmeve AFP se kishte dëgjuar rreth tetë të shtëna. Një tjetër dëshmitar, që foli për televizionin BFM, e identifikoi personin e armatosur si një burrë të bardhë, që hapi zjarr krejt papritur./VOA