
Sulmi i nxënësve nga qeni - Drejtori i Arsimit në Suharekë mendon se kishte ‘pak keqmenaxhim’ të situatës
Drejtori i Arsimit në Suharekë, Remzi Bajselmani mendon se ka qenë “pak keqmenaxhim” i situatës, në rastin e sulmit të nxënësve nga qeni në Shkollën Fillore e të Mesme të Ulët “17 Shkurti” në Shirokë, më 22.01.2025.
Sipas Bajselmanit, qeni nuk është dashur të izolohet brenda Shkollës. Pas disa pamjeve që ka siguruar KALLXO.com, shihet se nxënësit vrapojnë për të hyrë brenda në Shkollë dhe më pas hyn edhe qeni.
Përveç nxënësve, shihet edhe një grua dhe burrë që vrapon për të hyrë brenda në Shkollë. Pasi ka hyrë qeni, disa nga jashtë e kanë mbyllur derën e Shkollës “17 Shkurti” dhe qeni është izoluar brenda.
Qeni i ka sulmuar katër nxënës: dy prej tyre janë trajtuar nga Qendra e Mjekësisë Familjare (QKMF) në Suharekë dhe dy të tjerë në Spitalin Rajonal të Prizrenit.
“Ka qenë një panik, me të thanë prej shpirtit – pak keqmenaxhim ka qenë. Ka qenë keqmenaxhim i situatës. E kanë mbyllë atë qenin brenda shkollës, ai qeni ka qenë i mësuar me njerëz, i shtëpisë.” – ka thënë Bajselmani, më 23.01.2025.
“Kujtoj që Shkolla u dashtë pak ma ndryshe me u sjellë, po megjithatë pa kanë aty, veç ata e dinë traumën që e kanë pasë.” – tha Bajselmani.
Për gruan që shihet po ashtu duke vrapuar, Bajselmani tha se jo vetëm ajo, po edhe të tjerë shihen duke vrapuar.
“Përkundrazi, ka qenë stafi i panikuar më shumë se vetë fëmija.” – ka shtuar Bajselmani.
Bajselmani ka njoftuar se të premten, më 24.01.2025, planifikojnë bashkë me disa zyrtarë policorë ta realizojnë një aktivitet motivues për stafin dhe nxënësit e Shkollës “17 Shkurti”.
Në lidhje me vendimin që drejtoresha e Shkollës “17 Shkurti”, Hidajete Bytyqi tha për KALLXO.com, më 22.01.2025, se do ta marrin që nxënësit të qëndrojnë vetëm brenda oborrit të Shkollës gjatë pushimit të gjatë e të mos dalin jashtë hapësirës së shkollës. Bajselmani nuk është në dijeni, nëse mund të merret ky vendim.
“Ne do të shkojmë në Shkollë e do ta shohim gjendjen reale dhe çka mund të bëjmë për këtë situatë. Edhe me disa prindër jemi tu bisedu. Për momentin, nuk mundem me të thanë. Edhe është kogja vështirë me marrë atë vendim: me prind e me krejt po duhet me u marrë aty.” – është shprehur Bajselmani.
Rasti ka ndodhur rreth orës 09:40 dhe dyshohet se qeni ka qenë i tërbuar. Drejtoresha e Shkollës “17 Shkurti”, Hidajete Bytyqi i ka thënë KALLXO.com se nxënësit që u sulmuan nga qeni janë të klasës së parë, të dytë, të pestë dhe të gjashtë.
Sipas Bytyqit, gjatë kohës së pushimit të gjatë, nxënësit kanë dalë jashtë hapësirës së Shkollës “17 Shkurti” për të blerë ushqim dhe më pas qeni i ka ndjekur pas kthimit të tyre në Shkollë.
“Knej rrugës duke ardhë (pasi kanë ble ushqim), i ka ndjek ai qeni, deri në oborr të Shkollës. Fëmija tuj vrapu, edhe ai ka hy me atë fëmijë. E ka sulmu atë vajzën të parën. Kanë qenë kujdestarët, po ata derën e kanë mbyllë menjëherë. E kemi neutralizu, mos me lanë prapë me dalë jashtë, derisa erdhën Policia.” – ka treguar Bytyqi, më 22.01.2025.
Edhe Bajselmani është i informuar se nxënësja që është trajtuar nga data 22.01.2025 në Spitalin Rajonal të Prizrenit është në gjendje më të mirë.
Nxënësja e Shkollës “17 Shkurti” në Shirokë u trajtua në Repartin e Infektivës të Spitalit Rajonal të Prizrenit, për shkak të sulmit nga qeni më 22.01.2025.
Shefi i Infektivës në Spitalin e Prizrenit, Beram Karanezi ka thënë për KALLXO.com se të enjten, më 23.01.2025, do t’ia bëjnë përpunimin e plagëve dhe do t’ia heqin fashot.
Nxënësja është 8-vjeçare dhe është njëra nga tre nxënësit që u sulmuan nga qeni i cili hyri brenda objektit të Shkollës në Shirokë. Ajo është sulmuar nga qeni në kokë.
Janë përpunu plagët te na. Prej tyre, një është liru, një është pranu në Repartin e Infektives për trajtim të matutjeshëm.” – ka thënë shefi i Emergjencës, Hekuran Veçgishti, më 22.01.2025.
Në anën tjetër, Policia në Suharekë e ka neutralizuar qenin i cili hyri në objektin e Shkollës.
Kështu ka njoftuar Policia e Kosovës në Raportin e saj 24-orësh. Sipas njoftimit, Policia e eliminoi qenin – duke përdorur armën zyrtare në drejtim të tij.
Sipas Policisë, dyshohet se pranari i qenit i cili u arrestua menjëherë pas rastit, e ka lënë pa përkujdesje qenin.
“Zyrtarët policorë janë ballafaquar me rrezikun nga qeni, i cili u është vërsulur edhe zyrtarëve policorë. Me qëllim të eliminimit të rrezikut, një zyrtar policor ka përdorur pajisjen zyrtare (armën zyrtare) në drejtim të qenit – duke e eliminuar qenin.” – thuhet në njoftimin e Policisë, më 23.01.2025.
Rasti është iniciuar, si: “shkaktim i rrezikut të përgjithshëm”. KALLXO.com e ka pyetur Prokurorinë Themelore në Prizren në lidhje me të arrestuarin dhe është në pritje të përgjigjeve.