Ilustrim Parisi - Foto: REL/AFP

Sulmi i brendshëm në Policinë e Parisit, 4 të vrarë me thikë

Një punonjës në Policinë e Parisit ka therur me thikë katër anëtarë të tjerë të stafit në selinë e Policisë në qendër të kryeqytetit francez, raporton BBC.

Tre burra dhe një grua u vranë, të gjithë oficerë ose staf administrativ, u tha gazetarëve të Parisit, prokurori Remy Heitz.

Sulmuesi, i cili nuk është emëruar, u qëllua për vdekje më vonë nga Policia.

Sipas ministrit të Brendshëm, ai ishte një 45-vjeçar specialist i IT-së që kishte punuar për forcën e Policisë në Paris për 16 vite.

Sulmi vjen një ditë pasi Policia hyri në grevë në Francë për shkak të rritjes së dhunës ndaj oficerëve.

Deri më tani nuk ka ndonjë deklaratë zyrtare për motivin e mundshëm të sulmit.

Megjithatë, zyrtarët e Sindikatës policore kanë sugjeruar se sulmuesi mund të ketë qenë i përfshirë në një mosmarrëveshje në vendin e punës.

Përgatiti: Senad Durguti