Sulmi fizik ndaj Gazmend Muhaxherit, reagon kryeparlamentari Konjufca

Mëngjesin e së shtunës, më 26.10.2024 është sulmuar fizikisht kryetari i Komunës së Pejës, Gazmend Muhaxhiri.

Për këtë, ka reaguar edhe kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, i cili e ka dënuar sulmin ndaj kryetarit të Komunës së Pejës.

Përmes një postimi në llogarinë e tij në Facebook, Konjufca e ka quajtur akt të papranueshëm një sulm të tillë.

Duke i uruar shërim të shpejt Muhaxhirit, kryekuvendari ka shkruar se i mbështetë organet përgjegjëse në punën e tyre për zbardhjen e plotë të këtij rasti.

“Dhuna kurrë nuk ka qenë zgjidhje e kurrë nuk do të zë vend, sepse jemi të vendosur kundër saj. Mbështes organet përkatëse në punën e tyre për zbardhje të plotë të ngjarjes dhe bëj thirrje që organet e drejtësisë ta ndjekin në plotni rastin dhe sulmuesit të marrin dënimin e merituar” – ka shkruar Konjufca, sot më , 26.10.2024.

Përveç Konjufcës, për sulmin fizik ndaj Muhaxherit ka reaguar edhe kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku.

“Gaz Muhaxherin as s’mund ta ndalin e as s’mund ta frikësojnë. Është i gatuar ndryshe ky burrë! Organet e drejtësisë të japin rezultate të shpejta e të mbajnë përgjegjës ata që me argumentin e dhunës e urrejtjes provojnë të ndalin një udhëheqës e njeri të lirë”- ka shkruar Abdixhiku në një postim në rrjetin social Facebook.

Ndërkaq vetë Muhaxheri, pak kohë pas sulmit, ka shkruar në rrjetin e tij social në Facebook se është në gjendje të mirë shëndetësore.

“Jam shëndosh e mirë”- ka shkruar Kryetari i Komunës së Pejës, Gazmend Muhaxheri pak orë pas një sulmi të cilin e pati nga dy persona të dyshuar.Në rrjetin e tij social Facebook, Muhaxheri ka reaguar se tashmë është në mes të miqve të tij si dhe është mirë me shëndet.“I rrethuar mes miqve. Pas sulmit te befasishëm, jam shëndoshë e mirë. Ju falënderoj të gjithëve për interesimin”- ka shkruar Muhaxheri deri sa në fotografi shihet në shoqëri të disa personave.

 

Pas sulmit Gazmend Muhaxheri tregon për gjendjen e tij

Avokati i të parit të Pejës, Dukagjin Kerveshi ka thënë që Muhaxheri është sulmuar nga dy persona derisa ishte duke u larguar nga një lokal në vendin e njohur si “Qendra Zejtare” pasi kishte pirë kafe me një familjar të tij.

Kerveshi e ka përshkruar sulmin si të befasishëm.

“Kryetari Muhaxheri tashmë ka dhenë deklaratën në polici dhe se i njejti beson se arsyeja e sulmit lidhet me punën e tij zyrtare” – ka shkruar Kerveshi në profilin e tij në Facebook më 26.10.2024.Ai më tej ka njoftuar se gjendja e kryetarit të Pejës është stabile.“Duke besuar në efikasitetin e organeve të drejtësisë së Republikës së Kosovës presim që sulmuesit të ndiqen penalisht dhe të marrin dënimin e merituar” – ka përfunduar njoftimin i avokatit Kerveshi në Facebook.

KALLXO.com ka kontaktuar me kabinetin e Muhaxhirit i cili ka konfirmuar rastin duke thënë se tashmë policia po e trajton ngjarjen.Muhaxhiri sipas informacioneve që posedon KALLXO.com dyshohet se u sulmuar fizikisht deri sa po dilte nga një lokal në Pejë.

Në anën tjetër Policia në Pejë ka thënë se kryetari Muhaxheri ka marrë edhe lëndime trupore.“Sot rreth orës 08:50, në rrugën Bill Klinton,  është sulmuar nga dy persona të dyshuar Kryetari i Komunës së Pejës i cili ka pësuar lëndime trupore, të dyshuarit janë arrestuar. Me urdhër të Prokurorit te shtetit te dyshuarit ndalohen për 48-ore”, ka thënë Driton Rugova nga Policia në Pejë.Shkodran Nikçi nga Prokuroria në Pejë i ka thënë KALLXO.com se tashmë janë duke u ndërmarrë gjitha veprimet për të zbardhur situatën ndërsa prokurori ka marrë vendim qe te dyshuarit të dërgohen në mbajtje.