Ilustrim

Sulmet nga qentë endacak, qytetarët paralajmërojnë padi ndaj Komunës së Prishtinës

Një qytetarë e Prishtinës përmes rrjetit social Facebook ka ndarë rrëfimin e saj se si qentë endacak e kanë sulmuar djalin e saj 12 vjeçar sot gjatë ditës në rrugët e Prishtinës.

Ajo ka kërkuar nga të gjithë familjet e tjera që t’i mbledhin faktet për sulmet nga qentë endacak dhe pastaj të angazhojnë një avokat për të paditur Komunën e Prishtinës.

Këtu mund ta lexoni rrëfimin e plotë të qytetares, Vlora Konushefci:

Sot, në orën 11:15, edhe djali im 12 vjeç është sulmuar nga qentë endacak. Njëri prej tyre e ka kafshuar për të cilën gjë është dashur trajtimi mjekësor. Djali ka qenë veç vet duke u kthyer prej ushtrimeve në rrugën C. Fati i tij që ishte mesi i ditës dhe disa punëtorë të ndërtimtarisë i kanë dalë në ndihmë, duke shpëtuar nga lëndimet më të mëdha fizike, teksa për pasojat psikike s’po flasë. Në Qendrën e Mjekësisë Familjare, ku e dërgova për trajtim, mjekja më tregoi që çdo ditë i pranojnë nga 4-5 raste të fëmijëve që sulmohen nga qentë endacakë vetëm në atë lagjen Mati 1.
Ju lutem kushdo që ka pësuar sulme nga qentë endacak më kontaktoni, t’i bëjmë bashkë faktet, të angazhojmë një avokat bashkërisht dhe ta padisim komunën e Prishtinës!