Sulmet ndaj Policisë në veri, reagon Lista Serbe

Lista Serbe ka dënuar sulmin ndaj e sotëm ndaj policisë së Kosovës në fshatin Zupçe të Zubin Potokut.

Në reagimin e listës serbe thuhet se incidente të tilla kanë për qëllim për t`i paraqitur serbët si ngacmues.

“Ky incident ka për qëllim destabilizimin e mundësive, por edhe përpjekjen për t’i paraqitur serbët si disa ngacmues, gjë që nuk përputhet me të vërtetën”, thuhet në reagim në facebook.

Tutje kjo parti i ka bërë thirrje qytetarëve serb që të tregojnë vetpërmbajtje duke theksua se ai që qëndron mbrapa sulmeve ‘nuk i mendon të mirën popullit serb’.

“U bëjmë thirrje të gjithë qytetarëve për vetëpërmbajtje. Që të mos bien në provokime dhe të mos lejojnë incidente të tilla të rrezikojnë paqen aq të nevojshme në këtë rajon”, thuhet tutje në reagim.

Policia e Kosovës ka njoftuar se sot përsëri është sulmuar një njësi patrulluese kufitare, në fshatin Zupçe të Zubin Potokut.

Sipas Policisë, sulmi është kryer me armë zjarri, por që deri më tash përveç dëmeve materiale, nuk është raportuar për ndonjë zyrtar të lënduar.

Kjo nuk është hera e parë që sulmohen policët e Kosovës në Veri, Drejtori i Policisë së Kosovës, Samedin Mehmeti, në një konferencë për media të mbajtur me 15 prill kishte thënë se brenda tri ditëve (13-15 prill) janë realizuar katër sulme të sinkronizuara në një territor ku sulmet kanë ndodhur shumë afër njëra tjetrës.

Sulmohet sërish Policia e Kosovës në veri