Sulmet ndaj gazetarëve në veri, reagon Sekretari i Federatës Evropiane të Gazetarëve

Sekretar i Përgjithshëm i Federatës Evropiane të Gazetarëve, Ricardo Gutierrez, ka reaguar pasi disa gazetarë janë sulmuar sot në veri të vendit nga protestuesit serbë.

Ai i ka bërë thirrje Policisë së Kosovës që t’i mbrojë gazetarët.

“#Kosova: gazetarët që mbulojnë protestat nën sulm në Mitrovicë. I bëjmë thirrje policisë t’i mbrojë!”, ka shkruar ai në profilin e tij në Twitter.

Për këtë ka reaguar edhe Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës, derisa më herët mediat kanë publikuar pamje të protestuesve duke i sulmuar gazetarët gjatë raportimit.

Policia e Kosovës në orët e hershme të mëngjesit ka nisur një aksion kundër kontrabandës në veri të vendit dhe disa lokacione të ndryshme,

Gjatë aksionit, policia ishte penguar nga banorët serbë të kësaj ane dhe është dashur të përdorin gaz lotsjellës dhe të ndërhyjnë me autoblinda.

Aksioni policor, që filloi sot është shtrirë në lokacione në Kosovë, përfshirë rajonin e Mitrovicës së Veriut dhe të Jugut, të Prishtinës dhe Pejës.